UBT News

Rusia thotë se sërish e ka sulmuar Ukrainën me raketa hipersonike

Rusia tha të dielën se sërish ka përdorur raketat e reja hipersonike në Ukrainë. Sipas zyrtarëve rusë, ata kanë shkatërruar një depo karburantesh në jug të Ukrainës.

“Sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Të shtunën, më 19 mars, Rusia për herë të parë e pranoi se ka përdorur raketa hipersonike gjatë një sulmi në perëndim të Ukrainës. Përdorimi i këtyre armëve më vonë u konfirmua edhe nga autoritetet ukrainase.

Ushtria ruse tha të shtunën se sistemi raketor Kinzhal është i aftë që të godas caqe në një distancë prej më shumë se 2 mijë kilometrash dhe mund të shmangë sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore dhe raketore. Këto lloj raketash fluturojnë shumë lartë në atmosferë me pesë herë shpejtësinë e zërit.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Në kundërpërgjigje, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

Exit mobile version