Rusia tha se ka marrë nën kontroll qytetin ukrainas, Soledar pas një beteje disamujore, duke e quajtur atë një hap “të rëndësishëm” për ofensivën e saj. Fitorja do t’ua mundësojë trupave ruse të ndërpresin rrugët e furnizimit të Ukrainës në qytetin më të madh të Bakhmutit, informoi Ministria e Mbrojtjes.
Luftimet rreth Soledarit kanë qenë disa nga më të përgjakshmet.
Guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko tha të enjten se 559 civilë, përfshirë 15 fëmijë, mbetën në qytet dhe nuk mund të shpërnguleshin.
Marrja e Soledarit mund të konsiderohet si një fitore në Moskë pas muajsh dështimesh dhe pengesash në luftën 10-mujore të Rusisë.
Instituti për Studimin e Luftës me qendër në SHBA tha orë më parë se kishte të ngjarë që forcat ruse të kenë marrë Soledar-in, por nuk besonte se më pas do të ishin në gjendje të vazhdonin të rrethonin Bakhmutin.
Serhiy Cherevatyi, zëdhënës i komandës ushtarake lindore të Ukrainës, tha se Rusia kishte dërguar luftëtarët e saj më të mirë mercenarë dhe njësi të tjera në Soledar. Duke mohuar se Soledar ishte në duart e Rusisë, ai tha:Ne nuk do të japim më shumë detaje pasi nuk duam të zbulojmë pozicionet taktike të luftëtarëve tanë, shkruan BBC.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se kontrolli i plotë i Soledarit do të thoshte se jo vetëm që do të ndërpriteshin linjat e furnizimit me Bakhmut-in, por edhe se forcat ukrainase atje do të ndërpriteshin dhe rrethoheshin.