Moska ka paralajmëruar që do të hakmerret ndaj caqeve të Britanisë së Madhe, nëse armët e tyre do përdoren nga Ukraina për sulme brenda territorit rus, bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.
Ajo e përsëriti paralajmërimin që Moska e bëri edhe në fillim të këtij muaji, pasi që sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se Ukraina mund të përdorë armët britanike kundër caqeve brenda Rusisë.
Për këtë, Rusia reagoi ashpër ndaj deklaratave të Cameronit dhe i përmendi ato si arsye pse ka vendosur të mbajë stërvitje këtë muaj, për të simuluar lëshimin e raketave taktike bërthamore.
Megjithatë Ukraina thotë se i përdor dronët e vet dhe armë tjera për të kryer sulme kundër caqeve brenda Rusisë, kundër rafinerive të naftës apo infrastrukturës hekurudhore./UBTNews/