UBT News

Rusia sulmon Ukrainën, Zelensky: Ka dëmtime në centralin bërthamor të Çernobilit

Një sulm rus me dron gjatë natës ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj mburojës së rrezatimit të centralit bërthamor të Çernobilit, tha të premten presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Çernobili ishte vendi i katastrofës më të madhe bërthamore në botë, kur njëri nga katër reaktorët e tij shpërtheu në vitin 1986.

Ky reaktor është i mbështjellë nga një strehë mbrojtëse, e njohur si sarkofag, për mbrojtje nga rrezatimi i mbetur.

Droni rus goditi mburojën e njësisë së shkatërruar në këtë central bërthamor, duke shkaktuar zjarr, i cili u shua, tha Zelensky.

Tani për tani, niveli i rrezatimit nuk është rritur dhe po vëzhgohet vazhdimisht”, theksoi ai, duke shtuar se vlerësimet fillestare tregojnë për dëme të mëdha.

Vendi i vetëm në botë që e sulmon një zonë të tillë, uzurpon centralet bërthamore, dhe kryen luftë pa keqardhje për pasojat, është Rusia e sotme”, nënvizoi ai.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) tha se personeli i saj në vendngjarje reagoi brenda disa minutash pas sulmit, duke shtuar se nuk ka viktima. Ajo tha se stafi i saj ishte njoftuar se një dron kishte goditur çatinë e mburojës.

Nivelet e rrezatimit brenda dhe jashtë mbeten normale dhe të qëndrueshme”, tha ajo në X.

Exit mobile version