Zyrtarë nga 10 vende të ndryshme, përfshirë Kinën dhe Pakistanin, po marrin pjesë në takim me përfaqësuesit e talibanëve, raporton Deutsche Welle, transmeton UBT news.
Rusia ka pritur sot talibanët për bisedime në Moskë në një përpjekje për të rritur ndikimin e saj në Azinë Qendrore. Zyrtarët e Moskës gjithashtu bënë thirrje për veprim kundër luftëtarëve të “Shtetit Islamik” (IS), për të cilët Rusia thotë se kanë filluar të rrisin praninë e tyre në Afganistan që nga marrja e vendit nga talibanët.
Javën e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se luftëtarët e ISIS po mblidheshin në Afganistan për t’u përhapur në ish republikat sovjetike dhe përfundimisht në Rusi.
Putin paralajmëroi javën e kaluar se rreth 2,000 luftëtarë besnikë të “Shtetit Islamik” ishin mbledhur në Afganistanin verior, duke shtuar se udhëheqësit e tyre planifikuan t’i dërgonin ata në vendet fqinje të Azisë Qendrore të maskuar si refugjatë, përcjell UBT News.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili hapi takimin, theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe ndjekjen e politikave të balancuara sociale, duke shtuar se ai i diskutoi ato çështje me talibanët para bisedimeve.
Ai shtoi se Rusia së shpejti do të dërgojë një dërgesë të ndihmës humanitare në Afganistan dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mobilizojë shpejt burimet për të parandaluar një krizë humanitare.
Ndërsa, Abdul Salam Hanafi, një figurë e lartë në lidershipin e ri afgan, i cili ishte pjesë e bisedimeve me BE-në dhe ShBA-në javën e kaluar, tha se “takimi është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit”.
Para diskutimeve të sotme, Rusia, Kina dhe Pakistani thanë se ishin të gatshëm të siguronin ndihmë për Afganistanin. Bashkimi Evropian deri më tani është zotuar për 1 miliard euro në mënyrë që të shmang një krizë humanitare në rajon.
Ndërkohë, Moska tha se nuk ishte ende gati për të njohur qeverinë talebane.
“Njohja zyrtare e talebanëve nuk po diskutohet tani për tani”, u tha Lavrov gazetarëve. “Ashtu si shumica e vendeve të tjera me ndikim në rajon, ne jemi në kontakt me ta. Ne po i nxisim ata të përmbushin premtimet që kanë bërë kur erdhën në pushtet”./UBTNews/