Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se do të sulmojë kompanitë e industrisë së mbrojtjes në Ukrainë, në përgjigje të, siç tha, një “sulmi me raketa balistike” në bastionin separatist të Donjeckut, të hënën pasdite.
“Në përgjigje të bombardimit të Donjeckut me një raketë Tochka-U, forcat e armatosura ruse do të marrin masa operacionale për t’i nxjerrë jashtë përdorimit ndërmarrjet ukrainase të industrisë së mbrojtjes, të cilat prodhojnë armë të përdorura nga nacionalistët”.
“U bëjmë thirrje qytetarëve ukrainas që punojnë në këto ndërmarrje, si dhe banorëve të shtëpive pranë, që të largohen nga zonat potencialisht të rrezikshme”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes në një postim online.
Sipas zyrtarëve rusë, 20 civilë janë vrarë në sulmin ajror të Ukrainës në rajonin separatist të Donjeckut.
Ukraina e mohoi kryerjen e sulmit dhe tha se përgjegjëse për të është një raketë ruse.