Ministria Mbrojtjes ruse njoftoi të hënën se do të hapë gjashtë korridore humanitare dhe do të ndalojë armiqësitë nga ora 10:00 e mëngjesit me orën lokale të Moskës 07:00 për të lejuar civilët të largohen nga zonat e betejës.
Një korridor do të hapet nga kryeqyteti Kiev në qytetin e Gostomel, dy nga Mariupol në qytetin Zaporizhzhia të Ukrainës dhe një në qytetin rus të Rostov-on-Don, tha zëdhënësi i ministrisë Igor Konashenkov në një konferencë për media në Moskë.
Dy rrugë të tjera të sigurta do të lidhin qytetin e Sumy me qytetin ukrainas të Poltava dhe qytetin rus të Belgorod, gjithashtu qytetin e Kharkiv me Belgorod.
Konashenkov shtoi se informacioni i detajuar për korridoret humanitare iu dha udhëheqjes ukrainase, si dhe organeve përkatëse të OKB-së, Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
“Ndërsa hapen korridoret humanitare, forcat e armatosura të Federatës Ruse do të kryejnë kontroll të vazhdueshëm objektiv të evakuimit me përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot”, vuri në dukje ai.
Konashenkov tha gjithashtu se nacionalistët ukrainas vazhdojnë të përdorin civilët si mburojë njerëzore.
“Dje (e diel), rreth orës 17:00 me orën e Moskës 14:00, në rrugën e Fitores në Mariupol, ushtarakët e Donetskut u përleshën me një njësi të nacionalistëve të armatosur ukrainas. Militantët po shtynin më shumë se 150 civilë para tyre si një mburojë njerëzore, e fshehur pas tyre. Pasi gjetën luftëtarët e Milicisë Popullore, nacionalistët ukrainas hapën zjarr nga pas shpinës së civilëve. Si rezultat i të shtënave nga nazistët ukrainas, katër civilë u vranë dhe pesë u plagosën”, tha Konashenkov.
Sipas zëdhënësit, 16 vendbanime të tjera ranë nën kontrollin e ushtrisë ruse dhe forcave rebele të rajoneve Donetsk dhe Luhansk.
Pas dy raundeve të bisedimeve të paqes, Rusia dhe Ukraina ranë dakord të krijojnë korridore humanitare në Mariupol.
Megjithatë, asnjë civil nuk ishte në gjendje t’i përdorte ato, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sepse nacionalistët ukrainas nuk lejuan askënd të largohej, ndërsa Shërbimi i Sigurisë ukrainase tha se kjo ishte për shkak se Rusia nuk i ndaloi armiqësitë në të gjithë Ukrainën.
Duke komentuar deklaratën e së hënës nga Ministria e Mbrojtjes ruse, zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk kundërshtoi hapjen e korridoreve humanitare, duke thënë: “Bisedimet duhet të vazhdojnë, por jo midis ushtrive”./UBTNews/