UBT News

Rusia ndalon dokumentarin “Mr Nobody Against Putin” në tre platforma online

Një gjykatë në Rusi ka ndaluar shfaqjen e dokumentarit “Mr Nobody Against Putin” në tre platforma streaming, duke e cilësuar atë si përmbajtje që “propagandon ekstremizëm dhe terrorizëm”.

Dokumentari i BBC-së, i cili fitoi çmimin Oscar këtë muaj, trajton rritjen e propagandës së luftës në një shkollë ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022. Filmi bazohet në pamje të realizuara nga Pavel Talankin, një koordinator i aktiviteteve shkollore që më vonë u largua nga Rusia.

Sipas prokurorëve rusë, dokumentari shfaq një qëndrim negativ ndaj luftës në Ukrainë dhe ndaj qeverisë aktuale. Po ashtu, është përmendur edhe përdorimi i një flamuri që autoritetet ruse e konsiderojnë si simbol të një organizate “terroriste”, duke iu referuar flamurit bardhë-blu-bardhë të përdorur nga protestuesit kundër luftës.

Vendimi është marrë nga një gjykatë në qytetin Chelyabinsk dhe kërkon që dokumentari të hiqet nga tre platforma online.

Më herët gjatë marsit, një institucion shtetëror rus për të drejtat e njeriut e kishte kritikuar dokumentarin, duke pretenduar se janë përdorur pamje të fëmijëve pa lejen e prindërve dhe kishte kërkuar hetim nga Akademia e Oscars.

Dokumentari tregon mënyrën se si fëmijët në Rusi ndikohen nga propaganda shtetërore, përfshirë ligjërata për luftën, takime me veteranë dhe trajnime për armë. Ai përfshin edhe histori të nxënësve që janë bashkuar me ushtrinë dhe kanë humbur jetën në Ukrainë.

Në fjalimin e tij gjatë ndarjes së çmimeve Oscar, Pavel Talankin bëri thirrje për fundin e luftërave, duke theksuar ndikimin e tyre tek fëmijët dhe e ardhmja.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, autoritetet ruse kanë shtuar presionin ndaj zërave kundërshtues, ndërsa çdo kundërshtim publik mund të ndëshkohet me burg.

Dokumentari, një bashkëprodhim danez dhe çek, ka fituar çmimin Oscar dhe BAFTA për dokumentarin më të mirë në vitin 2026.

Exit mobile version