Rusia publikoi të martën një “listë ndalimi” të përditësuar që ndalon gjithsej 49 shtetas britanikë të hyjnë në vend.
Lista e përditësuar përfshin 29 gazetarë dhe 20 shtetas britanikë për të cilët Rusia beson se janë të lidhur me industrinë e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme ruse.
Deklarata tha se “lista e ndalimit” u përditësua pas futjes së sanksioneve personale nga qeveria britanike kundër gazetarëve kryesorë rusë dhe ndaj drejtuesve të kompanive të kompleksit të mbrojtjes vendase.
Në listë përfshihen gazetarë nga Guardian, BBC, Channel 4, ITV, Sky News, Daily Telegraph, Sunday Times, Times, Independent, Daily Mail dhe Financial Times.
Ministria e Jashtme ruse tha, “Gazetarët britanikë të përfshirë në listë janë të përfshirë në shpërndarjen e qëllimshme të informacionit të rremë dhe të njëanshëm për Rusinë dhe ngjarjet në Ukrainë dhe Donbas. Me vlerësimet e tyre të njëanshme, ata gjithashtu kontribuojnë në nxitjen e rusofobisë në shoqërinë britanike”.
Midis qytetarëve britanikë të lidhur me industrinë e mbrojtjes në listë janë zyrtarë ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar, kontraktorë të mbrojtjes dhe anëtarë të parlamentit./UBTNews/