Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se e kanë mirëpritur kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për t’u ulur në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të arritur paqen.
Peskov vlerësoi çështjet aktuale në deklaratën e tij për gazetarët në kryeqytetin Moskë.
Duke komentuar letrën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, drejtuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në të cilën thuhet se ata janë “gati të ulen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për një paqe të qëndrueshme”, Peskov tha se “Ne e mirëpresim këtë, por ka një pyetje se me kë do të ulemi në tryezë. Presidentit ukrainas i ndalohet të negociojë me palën ruse. Qasja jonë është pozitive, por nuancat nuk ndryshojnë”.
Lidhur me mundësinë e zhvillimit të negociatave me Ukrainën në Bjellorusi, Peskov tha se Minsku është një vend i përshtatshëm për negociata, por se kjo ende nuk është diskutuar.
Zëdhënësi Peskov tha gjithashtu se presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, mund të diskutojnë bashkëpunimin mbi elementët e rrallë të tokës në takimin e tyre që do të zhvillojnë në të ardhmen, por që nuk ka ndonjë plan për këtë çështje.
– Çështja e marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit duhet të zgjidhet me mënyra paqësore
Duke iu referuar çështjes së marrëveshjes mbi programin bërthamor të Iranit, Peskov u shpreh se “Kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm me mënyra paqësore, politike dhe diplomatike. Ka potencial për këtë. Rusia është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për këtë, SHBA-të e dinë këtë“.
Irani është partneri dhe aleati i Rusisë, nënvizoi Peskov, i cili vuri në dukje se ata me Iranin kanë zhvilluar marrëdhënie reciproke të cilat sigurojnë dobi.