UBT News

Rusia: Me SHBA-në është ranë dakord mbi hapat drejt eliminimit të pengesave në financimin e ambasadave

Ministria e Jashtme ruse tha sot se Moska dhe Washingtoni kanë rënë dakord për hapat për të larguar pengesat për financimin e ambasadave të tyre.

Duke komentuar rezultatin e bisedimeve të së enjtes në Istanbul, ministria tha në një deklaratë se “diskutimet u zhvilluan në një mënyrë kuptimplote dhe biznesore”.

Delegacioni rus udhëhiqej nga Alexander Darchiev, drejtor i Departamentit të Atlantikut të Veriut, ndërsa delegacioni i SHBA-së kryesohej nga Sonata Coulter, zëvendësndihmëssekretare e Shtetit që mbikëqyr politikën ndaj Rusisë dhe Evropës Qendrore.

Në përputhje me udhëzimet e ministrave të jashtëm, u diskutuan në detaje mënyrat për të kapërcyer ‘irrituesit’ e shumtë të trashëguar nga administratat e mëparshme amerikane“, tha ministria.

Të dyja palët kanë rënë dakord për hapat e përbashkët për të siguruar financimin e papenguar të misioneve të tyre diplomatike mbi baza reciproke dhe për të krijuar kushte të përshtatshme për diplomatët për të kryer detyrat e tyre zyrtare, shtoi ajo.

Ministria tha gjithashtu se Rusia ka ngritur çështjen e pronave të saj diplomatike në SHBA, konkretisht gjashtë prona të paluajtshme që u “konfiskuan ilegalisht” midis viteve 2016 dhe 2018.

Për më tepër, Rusia ka propozuar që SHBA-ja të shqyrtojë rikthimin e fluturimeve direkte dhe ka theksuar nevojën për rezultate të prekshme që do të ndihmonin në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe në interes të të dy vendeve, thuhet më tej.

Moska dhe Washingtoni kanë rënë dakord të vazhdojnë kontaktet e tyre diplomatike, përfundon deklarata.

Exit mobile version