Gjermania dhe BE-ja kanë dënuar vendimin e Rusisë për mbylljen e zyrës së transmetuesit publik ndërkombëtar Deutsche Welle (DW) në Moskë.
I gjithë stafi i DW ka humbur akreditimet dhe kanalit i është ndaluar transmetimi në Rusi.
Ministri i Kulturës i Gjermanisë u shpreh duke thënë se kjo nuk ishte e pranueshme në asnjë mënyrë.
Rusia argumentoi se po hakmerrej pasi rregullatorët gjermanë vendosën që një kanal i ri televiziv shtetëror rus, RT DE, nuk kishte një licencë të përshtatshme për të vepruar në Gjermani.
RT ka kanale në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht dhe nisi kanalin e saj satelitor në gjuhën gjermane në dhjetor 2021, duke përdorur një licencë nga Serbia, e cila është jashtë Bashkimit Evropian.
RT shihet gjerësisht si një zëdhënës për Kremlinin dhe autoriteti gjerman i licencimit Zak tha se nuk kishte leje të BE-së. Kanali u hoq nga rrjeti satelitor i Evropës brenda disa ditësh.
Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle, Peter Limbourg, tha se vendimi rus për mbylljen e byrosë ishte një reagim total i tepruar dhe “një tjetër shenjë se qeveria ruse nuk është e interesuar për lirinë e shtypit”.
RT është përballur me vështirësi edhe me kanalin e saj në gjuhën angleze. Ajo u gjobit me 200,000 £ nga rregullatori në Mbretërinë e Bashkuar, Ofcom, pasi dështoi në “ruajtjen e paanshmërisë së duhur”.
Transmetuesit e tjerë publikë të Gjermanisë shprehën mbështetjen e tyre për Deutsche Welle-n dhe Federata Gjermane e Gazetarëve bëri thirrje për heqjen e menjëhershme të ndalimit.
Gazetarët janë përjashtuar dhe organizatat janë mbyllur në muajt e fundit nga autoritetet ruse./UBTNews/