UBT News

Rusia liron një të burgosur amerikan, një hap drejt fundit të luftës në Ukrainë

Marc Fogel, një mësues amerikan i konsideruar nga Uashingtoni si i ndaluar pa të drejtë nga Moska, është liruar, veprim të cilin Shtëpia e Bardhë e cilësoi si përpjekje diplomatike që mund të çojë përpara bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zhvillimi vjen ndërsa Presidenti Trump po kërkon të hedhë bazat për negociata paqeje mes Moskës dhe Kievit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti Trump, Steve Witkoff dhe këshilltarët e presidentit negociuan një shkëmbim që shërben si një shfaqje e mirëbesimit nga ana e rusëve dhe një shenjë se po lëvizim në drejtimin e duhur për t’i dhënë fund luftës brutale dhe të tmerrshme në Ukrainë”, tha këshilltari për Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz.

I dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff u largua nga Rusia me amerikanin Marc Fogel, mësues historie nga Pensilvania. Ai pritet t’i bashkohet familjes së tij mbrëmjen e së hënës. I arrestuar në gushtin e vitit 2021, zoti Fogel po vuante një dënim me 14 vjet burg.

Familja dhe mbështetësit e tij thanë se zoti Fogel kishte me vete marijuana mjekësore kur u arrestua. Në dhjetor, administrata e Presidentit Joe Biden deklaroi se ai ishte arrestuar pa të drejtë.

Michael Waltz, këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia “negociuan një shkëmbim” për të siguruar lirimin e zotit Fogel. Ai nuk ka se çfarë shkëmbimi kishte ofruar pala amerikane. Në të kaluarën, negociatat kanë përfshirë lirimin reciprok të rusëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate.

Presidenti republikan, Donald Trump, ka premtuar gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit. Zoti Trump gjithashtu ka folur për marrëdhënie të mira me Presidentin Putin, i cili dha urdhër për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Muajin e kaluar, Presidenti Trump tha se administrata e tij po zhvillonte biseda serioze me Rusinë lidhur me luftën. Të afërmit e zotit Fogel thanë se ishin “tejet mirënjohës dhe të lehtësuar” që ai po kthehej në shtëpi.

Kjo ka qenë periudha më e errët dhe më e dhimbshme e jetës sonë. Por sot ky kapitull përfundon. Për herë të parë në vite, familja jonë mund të shikojë me shpresë drejt së ardhmes”, tha familja e tij. Moska nuk komentoi në lidhje me lirimin e zotit Fogel.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kryen një shkëmbim të madh të burgosurish në muajin gusht. Në këtë shkëmbim, mes të tjerësh, u liruan gazetari amerikan Evan Gershkovich dhe biznesmeni Paul Whelan.

Sidoqoftë, marrëveshja la shumë amerikanë të tjerë të burgosur në Rusi, përfshirë zotin Fogel. Mes tyre edhe amerikano-rusja Ksenia Khavana e cila u dënua me 12 vjet burg dy javë pas shkëmbimit. Ajo u akuzua për tradhti pas një donacioni prej 52 dollarësh për një shoqatë bamirësie që ndihmon Ukrainën. Shtëpia e Bardhë nën Presidentin Biden e quajti dënimin “asgjë më pak se mizori hakmarrëse”.

Tetorin e kaluar, Rusia dënoi amerikanin Robert Gilman me më shumë se 7 vjet burg, për gjoja dhunë ndaj policisë ruse, ndërsa amerikani Stephen Hubbard u dënua me burg në një gjyq me dyer të mbyllura për gjoja se kishte luftuar si mercenar në Ukrainë.

Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet fundit të vitit të tretë, nuk ka të dhëna mbi planin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund konfliktit. Ai ka thënë se Moska dhe Kievi duhet të bëjnë lëshime ndërsa ka lënë të kuptohet se Ukraina do të duhet të pranojë humbjen e të paktën një pjese të territorit.

Lirimi i zotit Fogel dhe njoftimi i Presidentit Trump se do të dërgojë Sekretarin e Thesarit Scott Bessent në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas mund të jetë një sinjal se planet mund të kenë filluar të marrin formë.

Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special i Presidentit Trump për Rusinë dhe Ukrainën, Gjenerali në pension Keith Kellogg, do të udhëtojnë në fund të kësaj jave për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku situata në Ukrainë do të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve.

Zoti Kellogg i tha agjencisë së lajmeve Associated Press të hënën se pala amerikane do të bisedonte me zyrtarët evropianë lidhur me synimet e Presidentit Donald Trump dhe do të vlerësonin interesat e tyre.

Ne do të shpalosim pritshmëritë tona për aleatët. Dhe kur të kthehemi do t’i paraqesim presidentit alternativat, kështu që ai e di më mirë se si do të veprojë kur të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e paqes”, tha zoti Kellogg.

Exit mobile version