Mbikëqyrësi shtetëror i medias ruse, Roskomnadzor thotë se Instagrami do të bllokohet në disa vende të Rusisë për shkak të thirrjeve për dhunë ndaj ushtarëve rusë.
Pronari i Instagramit, Meta tha se do t’i lejojë përdoruesit e tij në disa vende të bëjnë thirrje për dhunë kundër presidentit rus, Vladimir Putin dhe ushtarëve rusë. Ai do të lejojë përkohësisht disa postime të dhunshme si “vdekje pushtuesve rusë” që në të kundërtën do të ishin në kundërshtim me rregullat e tij. Sidoqoftë, nuk do të lejojnë thirrjet për dhunë ndaj civilëve rusë.
Të premten, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm rus bëri thirrje që të nisë një hetim penal kundër Metës, duke përmendur ligjet ruse të propagandës dhe ekstremizmit, sipas një deklarate të cituar nga agjencia private e lajmeve Interfax.
Agjencia shtoi se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i ka kërkuar mbikëqyrësit shtetëror të medias Roskomnadzor që të kufizojë qasjen në Instagram mbi “shpërndarjen e materialeve informative që përmbajnë thirrje për të kryer veprime të dhunshme kundër rusëve dhe ndaj ushtarakëve”.
Më 4 mars, Roskomnadzor kufizoi qasjen e Facebook-ut në Rusi mbi “diskriminimin” ndaj mediave ruse. Meta ka nën pronësi Instagram-in, Facebook-un dhe WhatsApp-in. Sidoqoftë, WhatsApp nuk u bllokua në Rusi meqë është platformë për shkëmbimin e mesazheve më tepër sesa rrjet social./UBTNews/