UBT News

Rusia kërcënon Youtube-n me ndalim, pasi kjo e fundit fshiu kanalet e televizionit rus

Rusia ka kërcënuar kompaninë YouTube me bllokim, dhe bëri thirrje për “zero tolerancë” ndaj kompanisë gjigante, e cila ia ka fshirë kanalet televizionit rus në gjuhën gjermane, RT, transmeton UBT News.

Kompania YouTube ka fshirë të martën kanalet e transmetuesit të mbështetur nga shteti rus, RT, në gjuhën gjermane, duke thënë se ata kishin shkelur politikën e saj të dezinformimit sa i përket COVID-19.

Kompania kishte lajmëruar se do të bllokonte të gjitha përmbajtjet kundër vaksinave, duke kaluar përtej COVID-19, përmbajtje këto që pretendojnë se vaksinat shkaktojnë efekte kronike shëndetësore ose përmbajnë dezinformata mbi substancat në vaksina.

Rusia akuzoi kompaninë YouTube për “agresion të paparë informacioni”.

Rregullatori shtetëror rus i komunikimeve Roskomnadzor tha se i kishte shkruar Google dhe kërkoi që të hiqen kufizimet në kanalet RT. Rusia mund të kufizojë pjesërisht ose plotësisht hyrjen në YouTube nëse nuk pajtohen, shtuan ata.

Rusia mund të vendosë masa për të detyruar YouTube që të respektojë ligjet e saj, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se ligji duket se ishte thyer në këtë rast.

“Sigurisht që do të ketë zero tolerancë për këtë lloj shkelje të ligjit”, tha ai.

Ministria e jashtme ruse tha se do të hartonte “një propozim për të zhvilluar dhe marrë masa hakmarrëse kundër shërbimit të pritjes të YouTube dhe mediave gjermane”.

Christian Mihr, drejtor ekzekutiv në Reporters Without Borders (RSF) Gjermani, tha se kërcënimi i veprimit kundër gazetarëve gjermanë ishte “krejtësisht i papërshtatshëm”.

Berlini mohoi akuzën se vendimi i YouTube ishte marrë me mbështetje nga autoritetet gjermane dhe mediat lokale.

“Ky është një vendim i YouTube, bazuar në rregullat e krijuara nga YouTube. Nuk është një masë (e marrë nga) qeveria gjermane ose organizata të tjera zyrtare”, u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert./UBTNews/

Exit mobile version