Rusia ka paralajmëruar se mund t’i kundërpërgjigjet Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen që po i jep Ukrainës, duke mos përjashtuar goditjen e objektivave ushtarake britanike brenda dhe jashtë territorit ukrainas.
Deklarata vjen pasi Britania ka njoftuar se do t’i mundësojë Kievit qasje në teknologji të klasifikuar për prodhimin e raketave me rreze të gjatë Storm Shadow.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi të enjten se Britania dhe Franca “po luajnë me zjarrin”.
Në të njëjtën kohë, The Wall Street Journal raportoi se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, gjatë një vizite sekrete në Moskë këtë javë, ka paralajmëruar Kremlinin kundër çdo tentative për ta testuar NATO-n përmes një sulmi të kufizuar ndaj një vendi anëtar.
Sipas raportimit, inteligjenca amerikane vlerëson se një veprim i tillë mund të variojë nga një sulm kibernetik deri te një inkursion i kufizuar ushtarak, veçanërisht në rajonin e Baltikut.
Megjithatë, Kremlini i ka mohuar këto raportime. Zëdhënësi Dmitry Peskov i ka cilësuar si “materiale alarmuese” dhe ka thënë se ato nuk kanë lidhje me realitetin apo synimet e Rusisë.
Ndërkohë, tensionet mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s janë rritur, me shtetet që kufizohen me Rusinë duke ndërmarrë hapa për forcimin e gatishmërisë ushtarake.
Polonia, ndërkaq, ka njoftuar për pranimin e dërgesës së parë të tankeve koreano-jugore K2 Black Panther, të cilat pritet të dislokohen pranë kufirit me rajonin rus të Kaliningradit.
Foto: Associated Press
D.L
