Suedia tha të hënën se Rusia përbën kërcënimin më serioz për sigurinë e vendit nordik deri në vitin 2030, raportojnë mediat lokale.
Kryeministri Ulf Kristersson, ministri i Mbrojtjes Pal Jonson dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Henrik Landerholm prezantuan një strategji të re kombëtare në një konferencë shtypi në Stokholm duke deklaruar se aktualisht “kërcënimi për Suedinë është i gjerë dhe serioz”.
“Rusia është kërcënimi më i madh dhe më serioz për sigurinë tonë kombëtare”, tha Jonson, sipas medias lokale Expressen.
Megjithëse forcat ruse kanë pësuar humbje të mëdha në Ukrainë, forca ushtarake e Moskës mbetet e rëndësishme, sipas strategjisë së re.
“Rusia ka një prag të ulët për përdorimin e forcës ushtarake, është e përgatitur të marrë rreziqe të mëdha politike dhe ushtarake dhe gjithashtu ka shprehur ambicie të larta për riarmatimin e saj”, shtoi Jonson.
Sipas politikanit shtete të tjera “autoritare”, si Kina, po përpiqen të forcojnë ndikimin e tyre dhe të sfidojnë “rendin botëror të bazuar në rregulla”.
“Mund të themi se Kina po kryen tani një riarmatim të gjerë që ndikon në stabilitetin rajonal në rajonin Indo-Paqësor”, tha ministri i mbrojtjes.
Strategjia identifikoi gjithashtu krimin e organizuar dhe ekstremizmin e dhunshëm si kërcënime për vendin.
Zyrtarët thanë më tej se flukset e mëdha migratore përbëjnë një rrezik pasi migrantët mund të përdoren si mjete për të krijuar paqëndrueshmëri si një mjet për të ushtruar presion mbi Suedinë.
“Kjo do të thotë se ne kemi një situatë shumë komplekse sigurie për t’u marrë me të”, vuri në dukje Jonson.
Zyrtarët theksuan se situata e përkeqësuar e sigurisë do të vazhdojë për një periudhë të parashikueshme dhe se ekziston rreziku që ajo të përkeqësohet edhe më tej./AA