Një alarm për sulm ajror është lëshuar në të gjithë Ukrainën, pasi një valë e re e sulmeve ruse i ka goditur disa qytete të mëdha.
Këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovych shkroi në mediat sociale se më shumë se 100 raketa janë lëshuar drejt qyteteve të Ukrainës.
Të paktën dy shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin Kiev, por ishte e paqartë nëse ato ishin shkaktuar nga sulmet me raketa apo nga mbrojtja ajrore.
Shpërthime u dëgjuan edhe në qytetet Kharkiv, Odesa dhe Zhytomyr. Dhjetra sulme ruse kanë goditur Ukrainën në javët e fundit, duke shkaktuar ndërprerje të përsëritura të energjisë në të gjithë vendin, shkruan BBC.