Një gjykatë ruse ka gjobitur të martën pronarin e Wikipedia-s, Fondacioni Wikimedia, me 32 mijë e 600 dollarë për artikuj që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë.
Kreu i Fondacionit në Rusi, Stanislav Kozlovsky, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se gjoba u bë pasi Wikipedia nuk fshiu disa artikuj.
Moska më herët kishte kërkuar që ato të mos shfaqen më në Wikipedia. Megjithatë, Kozlovsky tha se Fondacioni do të apelojë vendimin.
“Ne kemi ende një pozicion mjaft të fortë ligjor procedural, ndaj kemi arsye të besojmë se do të kemi sukses që të anulojmë si këtë gjobë ashtu edhe ato të dhëna në muajin prill”, tha ai, duke iu referuar dënimeve të mëparshme.
Kozlovsky tha se ekziston rreziku që numri i rasteve kundër Fondacionit Wikimedia të rritet.
Ka shumë artikuj në Wikipedia në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës dhe vetëm tri çështje gjyqësore deri më tani.
Rusia e përshkruan luftën e saj në Ukrainë si një “operacion special ushtarak”./UBTNews/