Ivan Zhdanov, i cili drejton fondacionin kundër korrupsionit të Navalny-t, e hodhi poshtë përcaktimin terrorist si “të pakuptimtë”.
Autoritetet ruse shtuan dy aleatë të kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny, në një listë të “terroristëve dhe ekstremistëve”.
Agjencia shtetërore ruse e monitorimit financiar shtoi Leonid Volkov, 41 vjeç dhe Ivan Zhdanov, 33, në një listë që i vendos ata në një kategori të ngjashme me anëtarët e grupeve të huaja terroriste si i ashtuquajturi “Shteti Islamik”.
Zhdanov ishte i rëndësishëm në prodhimin e video hetimeve jashtëzakonisht të njohura që akuzonin autoritetet ruse për korrupsion sistemik. Volkov ishte kreu i rrjetit të zyrave rajonale të Navalny-t.
Zhdanov, një avokat që drejtoi Fondacionin Kundër Korrupsionit të Navalny-t, i tha radiostacionit “Echo of Moscow” të premten se emërtimi “nuk do të ndikojë në mua dhe jetën time në asnjë mënyrë”.
Si një nga kritikët më të njohur dhe të hapur të presidentit rus Vladimir Putin, Navalny u arrestua në janar të vitit 2021 menjëherë pasi u kthye në Rusi nga Gjermania. Ai mori trajtim në Berlin pasi u helmua me një agjent nervor, për të cilin tha se ishte kryer në emër të Putinit.
Që atëherë, Navalny është burgosur, i akuzuar për shkelje të lirimit me kusht për akuza të mëparshme për korrupsion. Pas burgosjes së tij, në Rusi shpërthyen protesta të gjera.
Arrestimi i Navalny-t dhe tortura e supozuar gjatë kohës që ishte në burg janë dënuar nga vende në mbarë botën./UBTNews/