Kriza globale e çmimeve të ushqimit do të vazhdojë edhe këtë vit, ka paralajmëruar ambasadorja amerikane për ushqimin. Sipas saj, furnizimet nuk do të jenë të sigurta derisa të përfundojë pushtimi rus i Ukrainës.
Cindy McCain, ambasadorja e SHBA-së në agjencitë e OKB-së për ushqimin dhe bujqësinë, e quajti krizë “të madhe… kriza më e rëndë ushqimore, kriza më e rëndë humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe paralajmëroi se disa vende në Afrikë janë në prag të urisë. Ajo fajësoi Rusinë për rritjen e çmimeve dhe pushtimin e Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.
McCain paralajmëroi gjithashtu se financimi i SHBA-së për agjencitë e OKB-së që punojnë për të lehtësuar krizën ushqimore mund të jetë “i vogël” këtë vit dhe ajo u kërkoi shitësve të mos përfitojnë nga trazirat për të rritur më tej çmimet.
Çmimet e ushqimeve kanë rënë nga viti i kaluar, duke ngjallur shpresa se kriza, inflacioni në botën e zhvilluar dhe atë në zhvillim, si dhe mungesa e produkteve kryesore në disa vende, pas pushtimit të Ukrainës një vit më parë, mund të zvogëlohet.
Ajo tha se: “Fakti që çmimet e ushqimeve po bien nuk do të thotë se kjo krizë është afër përfundimit… Ne po shohim kohë të vështira. Ky do të ishte sezoni i mbjelljeve pranverore [në Ukrainë]. Nuk ka se si të mbjellin për shkak të pushtimit dhe për shkak të shkatërrimit që i është bërë, tokës dhe makinerive”.
Ajo shtoi se edhe eksportet e drithërave në rajon janë bllokuar për shkak të veprimeve të Rusisë.
Disa faktorë ishin kombinuar për të krijuar krizën, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ukraina nuk është vetëm një eksportues i madh i drithërave dhe vajit vegjetal, por edhe i plehrave, dhe rritja e çmimeve të energjisë që rezulton nga kërcënimet e Rusisë ndaj furnizimeve me gaz ka rritur gjithashtu koston e prodhimit të ushqimit. Shumë vende po përballeshin tashmë me një pozitë të pasigurt sa i përket furnizimeve ushqimore për shkak të ndikimeve të vazhdueshme të pandemisë./UBTNews/