Rusia do të dërgojë miliarderin japonez Yusaku Maezawa në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS), të mërkurën, në një lëvizje që shënon kthimin e Moskës në sektorin e turizmit hapësinor, që tani po lulëzon pas një pauze 10-vjeçare.
Maezawa, një nga njerëzit më të pasur në Japoni, 46 vjeç, do të ngrihet nga kozmodromi i Bajkonurit, në Kazakistan, me një anije kozmike ”Sajuz” me flamur japonez, i shoqëruar nga ndihmësi i tij, Yozo Hirano.
Misioni do t’i japë fund një ndërprerjeje 10-vjeçare në programin rus të turizmit hapësinor që nuk ka pranuar turistë që nga viti 2009.
Pasagjeri i fundit në atë vit ishte bashkëthemeluesi kanadez i ”Cirque du Soleil”, Guy Laliberte.
Në tetor, megjithatë, agjencia ruse e hapësirës ”Roscosmos” dërgoi aktoren Yulia Peresild dhe regjisorin Klim Shipenko në ISS për të xhiruar skenat e filmit të parë në orbitë në një përpjekje për të mposhtur një projekt rival të Hollivudit.