Zyrtarët ushtarakë nga Rusia dhe Ukraina do të takohen ballë për ballë në Stamboll të mërkurën. Sesioni do t’i kushtohet një plani të Kombeve të Bashkuara për të eksportuar grurin e bllokuar të Ukrainës në tregjet botërore përmes Detit të Zi.
Zyrtarë ushtarakë turq dhe përfaqësues të OKB-së pritet të marrin pjesë gjithashtu në diskutim. Ata do të fokusohen në gjetjen e një mënyre për të marrë miliona tonë drithë të lënë në kapanone në mes të luftës në Ukrainë dhe t’i transportojnë nga portet e vendit drejt Mesdheut.
Ukraina është një prej eksportuesve më të mëdhenj të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi i Rusisë ndërpreu prodhimin dhe ndaloi dërgesat, duke rrezikuar furnizimet ushqimore në shumë vende në zhvillim, veçanërisht në Afrikë, dhe duke kontribuar në çmime më të larta.
Turqia do të ofrojë korridore të sigurta në Detin e Zi dhe ka punuar me OKB-në, Rusinë dhe Ukrainën për të arritur një marrëveshje. OKB do të krijojë një qendër në Stamboll për të kontrolluar dërgesat, thanë zyrtarët turq./UBTNews/