UBT News

Rusia dhe Kina bllokojnë rezolutën e OKB-së për largimin e sigurt të afganëve

Rusia dhe Kina të hënën nuk e votuan rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e një zone të sigurt të kalimit për njerëzit që duan të largohen nga Afganistani përmes aeroportit të Kabulit.

Të gjitha 13 shtetet tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, përfshirë tri anëtaret e përhershme – Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Britaninë e Madhe – e përkrahën rezolutën.

Zëvendësi i përfaqësuesit të përhershëm të Kinës në Kombet e Bashkuara, Geng Shuang, tha se kaosi i tanishëm në Afganistan është shkaktuar nga tërheqja e çrregullt e trupave të huaja, ndonëse nuk i përmendi drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara.

“Tërheqja nuk është fundi i përgjegjësisë por fillimi i reflektimit dhe përmirësimit”, tha Shuang të hënën gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit, shkruan CNN.

Shuang tha se Kinës nuk i duket e nevojshme që Këshilli i Sigurimit ta miratojë rezolutën për krijimin e korridorit për kalim të sigurt.

Pa i përmendur Shtete e Bashkuara, zyrtari i lartë kinez tha se Kina shpreson që “shtetet relevante” të përmbahen nga vendosja e sanksioneve ndaj Afganistanit dhe ta ndryshojnë atë që ai e quajti “praktikë e gabuar e imponimit të vullnetit të tyre ndaj të tjerëve”.

Shuang shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të angazhohet në mënyrë aktive me talibanët dhe t’iu ofrojë udhëzime atyre. Ai gjithashtu tha se shpreson që talibanët do ta mbajnë premtimin për shkëputjen e plotë të lidhjeve me të gjitha organizatat terroriste.

Exit mobile version