Rusia ka vendosur trupa shtesë në një zonë të Sirisë veriore të kontrolluar nga luftëtarët kurdë dhe trupat qeveritare, mes frikës për një inkursion tokësor turk.
Lëvizja e Moskës, aleate e Damaskut, vjen pasi Ankaraja nisi sulmet ajrore mbi objektivat kurde në Siri dhe Irak më 20 nëntor, një javë pas një bombardimi vdekjeprurës në Stamboll për të cilin Turqia fajësoi militantët kurdë. Këta të fundit e kanë mohuar përgjegjësinë.
Banorët e Tal Rifaat, qytet në veri të Aleppos, i thanë AFP-së se përforcimet e trupave ruse kishin arritur në qytet.
Tal Rifaat shtrihet 15 kilometra në jug të kufirit me Turqinë. Forcat kurde kontrollojnë qytetin dhe fshatrat përreth, dhe trupat ruse ishin tashmë të pranishme në zonë.
Përfaqësuesit turk kontrollojnë zonat përreth Tal Rifaatit nga veriu, ndërsa trupat siriane të mbështetura nga Rusia kontrollojnë zonat kryesisht në jug.
Pas kryerjes së një sërë sulmesh ajrore, Turqia ka kërcënuar se do të nisë një inkursion tokësor në veri të Sirisë, duke përfshirë Tal Rifaat si dhe Kobanin dhe Manbixhin më në lindje.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha javën e kaluar se Turqia ishte më e vendosur se kurrë për të siguruar kufirin e saj me Sirinë nga sulmet kurde, duke kërcënuar një operacion tokësor “në momentin më të përshtatshëm”.
Që nga viti 2016, Turqia ka kryer operacione të njëpasnjëshme kundër forcave kurde në Sirinë veriore që kanë instaluar përfaqësuesit e saj në disa zona përgjatë kufirit./UBTNews/