UBT News

Rusia akuzon Ukrainën për mbytjen e një anijeje cisternë në Mesdhe

Një anije cisternë ruse për transportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) është fundosur në Detin Mesdhe, midis Libisë dhe Maltës, pasi u përfshi nga shpërthime dhe zjarr, sipas njoftimeve nga zyrtarët portualë libianë.

Rusia ka akuzuar menjëherë Ukrainën se ka shënjestruar anijen “Arctic Metagaz” me anë të dronëve detarë të telekomanduar, të cilët pretendohet se u lëshuan nga bregdeti libian. Ndërkohë që shërbimi shtetëror i sigurisë i Ukrainës (SBU) nuk ka pranuar të komentojë mbi këto akuza, autoritetet portuale libiane sqaruan se shkaku i saktë i zjarrit mbetet ende i paqartë.

Sipas të dhënave nga pala libiane, anija transportuese po mbante rreth 62,000 tonë gaz para shpërthimeve dhe u mbyt rreth 240 kilometra në veri të portit libian të Sirtes. Ministria e Transportit e Rusisë konfirmoi se në bord ndodheshin 30 shtetats rusë, të cilët fatmirësisht u shpëtuan.

Ministri i Brendshëm i Maltës, Byron Camilleri, bëri të ditur se të gjithë anëtarët e ekuipazhit u gjetën shëndoshë e mirë në një varkë shpëtimi gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi të ndërmarrë nga forcat e armatosura malteze.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje të paverifikuara që tregojnë anijen të përfshirë nga flakët gjatë natës, ndërsa Serhii Sternenko, një këshilltar i ministrit të mbrojtjes të Ukrainës, publikoi foto të anijes me dëmtime të rënda në dhomën e motorit, duke e cilësuar atë si të pariparueshme.

Presidenti rus Vladimir Putin e quajti ngjarjen një “sulm terrorist” në televizionin shtetëror, ndërsa ministria e tij e transportit e cilësoi si një akt piraterie ndërkombëtare, duke akuzuar madje edhe Bashkimin Evropian si bashkëpunëtor në këtë incident.

Anija “Arctic Metagaz” ishte nisur nga porti rus i Murmanskut drejt Port Saidit në Egjipt dhe konsiderohet pjesë e së ashtuquajturës “flotë hije” e Rusisë, e cila përdoret për të anashkaluar sanksionet perëndimore që synojnë të pakësojnë të ardhurat që financojnë luftën në Ukrainë.

Megjithëse Ukraina ka përdorur edhe më parë dronë detarë për të goditur mjetet lundruese ruse, pothuajse të gjitha ato sulme kanë ndodhur brenda Detit të Zi. Ky incident në Mesdhe shënon një zhvillim të papritur, duke pasur parasysh distancën e madhe nga zona kryesore e luftimeve. /BBC/

 

 

 

Exit mobile version