UBT News

Rusia akuzohet se ka shkaktuar ‘krizë globale ushqimore’

Rusia u akuzua para Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën se ka shkaktuar një “krizë globale ushqimore” dhe se i ka vënë njerëzit në rrezik “urie” duke filluar luftën në Ukrainë, e cila shërben si “shportë buke” për Evropën.

Zv.Sekretarja Amerikane e Shtetit, Wendy Sherman gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit kushtuar situatës humanitare në Ukrainë, u shpreh se “Putin e krijoi këtë krizë globale ushqimore, dhe është ai që mund ta ndalojë atë”.

“Përgjegjësia për luftën kundër Ukrainës – dhe për efektet e luftës në sigurinë globale të ushqimit – bie vetëm mbi Rusinë dhe Presidentin Putin”, tha ajo.

Ambasadori i Francës në OKB, Nicolas de Riviere, tha më tej se “agresioni rus kundër Ukrainës po rrit rrezikun e urisë në mbarë botën” dhe se popullatat në vendet në zhvillim do të jenë të parat që do të preken.

“Rusia pa dyshim do të përpiqet të na bëjë të besojmë se janë sanksionet e miratuara kundër saj që po krijojnë një çekuilibër në situatën e sigurisë botërore për ushqimin”, shtoi de Riviere.

Ambasadori i Moskës në OKB, Vassily Nebenzia kundërshtoi këto, duke thënë se turbulencat e mundshme në tregun global të ushqimit në fakt ishin shkaktuar nga “histeria e shfrenuar e sanksioneve që Perëndimi ka lëshuar kundër Rusisë”.

Sherman dhe drejtori i Programit Botëror të Ushqimit (WFP), David Beasley, raportuan se Ukraina dhe Rusia, të cilat janë të dyja prodhuesit kryesorë të drithërave, përfaqësojnë 30 për qind të eksporteve botërore të grurit, 20 për qind për misrin dhe 75 për qind për vajin e lulediellit.

Të premten, Bashkimi Evropian njoftoi një iniciativë për të zbutur mungesën e ushqimit të shkaktuar nga lufta./UBTNews/

Exit mobile version