Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka publikuar sot raportin-“E drejta për të vërtetën-viktimat pa emër”. Bashkë me tri organizata tjera kanë mbledhur të dhënat për 345 të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. 11 përqind e rasteve janë fëmijë, të cilët në kohën e përjetimit të dhunimit seksual ishin nën moshën 18 vjeçare.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti theksoi se marsi, prilli e maji i vitit ’99, janë tre muajt që ka kulmuar dhunimi i popullatës së pafajshme. Derisa është shprehur se institucionet e Kosovës kanë dështuar të krijojnë arkivën për dokumentimin e krimit, ajo ka pasur disa kërkesa ndaj tyre.
“Është më se e rëndësishme dhe imediate që institucionet e Kosovës të kenë një fokus të veçantë në arkivimin dhe dokumentimin. Pastaj të rritet numri i prokurorëve dhe gjykatësve. Mos të harrojmë se vetëm me tre prokurorë, nuk mund të dëshmohen krimet e luftës, janë shumë krime komplekse që kërkojnë edhe resurse humane edhe kapacitete personale. Deri më tani nuk kemi as edhe një person të vetëm që është duke e bartur dënimin”, ka kërkuar Rushiti.
Udhëheqësja e QKRMT-së ka thënë se ligji aktual ka shumë mangësi dhe se duhet të zgjatet afati i Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimës së Dhunës Seksuale.
“Nuk ka sens që ky afat të jetë pesë vjet dhe të përfundojë në shkurt të vitit 2023, kur dihet që një numër i madh i të mbijetuarve të dhunës seksuale ende nuk e kanë marrë guximin edhe për shkak të stigmatizimit dhe mbylljes së paragjykimit. Ende duhet të punojmë dhe përgatisim terrenin dhe shoqërinë që të fuqizojnë që ky numër të arrijë të përfitojë përkrahje institucionale”, ka shtuar ajo.
Menaxherja e projektit, Fatmire Haliti ka theksuar se 11 përqind të rasteve të dokumentuara, kanë qenë nën moshën 18-vjeçare, kur e kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. Veç tjerash, ajo ka potencuar që 22 përqind e të mbijetuarve jetojnë ende në shtëpitë ku janë dhunuar, të cilët nuk kanë pasur mundësi të ndërrojnë vendbanimin.
“42 për qind e rasteve kanë dokumentuar kanë deklaruar se dhunimet kanë qenë në grup. Pra, nuk ka qenë viktima, por ka qenë grupore. Qoftë në rastet që përmenda që kanë qenë të zhvendosura nga një shtëpi në tjetrën, apo edhe në disa raste që kanë qenë të vështira ku dhunimet kanë ndodhur ndaj disa anëtarëve të familjes. Për shembull, ndaj nënës dhe vajzave, ndaj motrave, vjehrrës dhe resë. E ka vështirësuar edhe më tej situatën sepse viktimat që përveç që e kanë përjetuar dhunimin drejtpërdrejt, ato kanë qenë edhe dëshmitare të dhunimit të anëtarëve të tyre të familjes”, ka thënë Haliti.
Ajo ka shtuar se 13 për qind të rasteve kanë përjetuar ngjarjen më shumë se një herë.
Drejtoresha e organizatës “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada tha se ky raport është vetëm nisma e dokumentimit të krimeve të dhunimeve në Kosovë. Sipas saj, kjo do të shërbejë në ndërkombëtarizimin e historisë së Kosovës.
“Është vetëm nisma dhe do të vazhdojmë më tutje, sepse kjo mostër prej 345 të mbijetuarve të cilat janë intervistuar është vetëm fillimi. Dhe besoj që në vazhdim ky raport do të kompletohet edhe me mostrat tjera edhe do ta kemi një raport mjaft kredibil i cili do të na shërben, neve si organizatë që merremi me këtë çështje edhe gjithashtu do të ju shërbejë edhe institucioneve”, ka thënë ajo.
Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në 99 për qind të rasteve kanë qenë civilë. Ata i kanë njohur dhunuesit apo kanë pasur njohuri për ta, në 9 për qind të rasteve. Dhunimet psikike kanë shkaktuar pasoja psikike në 98 për qind të rasteve, ndërsa në 82 për qind të rasteve të dokumentuara, viktimat kanë pësuar edhe lëndime psikike. Në grumbullimin e këtyre të dhënave kanë marrë pjesë QPDG, Medica Gjakova dhe Medica Kosova.