E njëjta gjykatë e Moskës që javën e kaluar ndaloi përdorimin e Facebook dhe Instagram në Rusi tani ka vendosur se qytetarët mund të përdorin platformat e mediave sociale përsa kohë që aktivitetet janë të ligjshme, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
Më 21 mars, Gjykata e Tverskoy ndaloi përdorimin e platformave duke i cilësuar ato si organizata “ekstremiste” pas një kërkese të prokurorit të përgjithshëm.
Kompania mëmë “Meta” u akuzua për promovimin e thirrjeve për dhunë ndaj trupave ruse në Ukrainë.
Edhe përpara vendimit të Gjykatës, të dy shërbimet ishin bllokuar zyrtarisht për përdoruesit në Rusi, megjithëse ato mbetën gjerësisht të disponueshme përmes shërbimeve VPN.
VPN-të i lejojnë përdoruesit e internetit të anashkalojnë censurën e qeverisë për të hyrë në faqet e ndaluara.
Duke pasur parasysh statusin e tyre të errët ligjor, shumë individë që përdorën dy rrjetet sociale për të fituar para, kishin frikë për jetesën e tyre pas masave të rrepta qeveritare./KultPlus/