Nga Ivana Kottasová
Për Andrei Soldatovin dhe shokët e tij, 24 shkurti shënonte fundin e Rusisë siç e dinin. Në orët e hershme të asaj dite, presidenti rus, Vladimir Putin njoftoi se ka urdhëruar trupat ruse brenda Ukrainës.
“Dhe krejt papritur, gjithçka në të cilën ne ende besuam u komprometua plotësisht”, i tha CNN-it Soldatov, një gazetar hulumtues rus që jeton në mërgim në Londër.
Për shumë vite, jeta në Rusi ishte bërë më e vështirë për disidentët, gazetarët e pavarur dhe këdo që fliste kundër regjimit të Putinit, por Soldatov tha se në mesin e njerëzve si ai kishte ende shpresë. Por lufta e ndryshoi këtë, tha ai.
“Ishte e tmerrshme të jetosh nën Putinin dhe ishte shumë larg idesë së demokracisë, por kishte edhe disa institucione të vendosura, të cilat thuajse mund t’i merrje si të mirëqena se do të ekzistonin pa marrë parasysh se çfarë, dhe krejt papritur, gjithçka u shemb”, tha ai mes tjerash.
Një grua që ende jeton në Moskë, e përshkroi 24 shkurtin si pikë pa kthim.
“Jeta u kthye në një makth nga i cili është e pamundur të zgjohesh, leximi i lajmeve gjatë gjithë orarit, protesta në të cilat kishte më shumë forca sigurie sesa civilë”, tha ajo për CNN, emri i së cilës nuk u publikua për shkaqe sigurie.
“Agresori është vendi ynë. Në emrin tonë, në emrin tim, po bëhet kjo masakër e tmerrshme”, tha ajo.
Ndërsa media shtetërore ruse krijon përshtypjen se të gjithë në Rusi mbështesin luftën dhe Putinin, shumë qytetarë më liberalë dhe të arsimuar të vendit kanë kaluar nëntë muajt e fundit në tmerr për shkak të dhunës së ushtruar në Ukrainë nga vendi i tyre. Por me regjimin gjithnjë e më represiv që godet çdo shenjë opozitare, zgjedhjet e atyre që nuk janë dakord janë jashtëzakonisht të kufizuara.
Qindra mijëra rusë janë larguar nga vendi, disa për shkak se po përballeshin me persekutim, të tjerë për të shmangur sanksionet perëndimore ose rrezikun për t’u tërhequr në ushtri. Mijëra të tjerë janë arrestuar, sipas grupeve të të drejtave. Shumë të tjerë janë detyruar të tërhiqen nga jeta publike ose kanë humbur punën, pasi qindra kompani perëndimore u tërhoqën nga Rusia dhe shumë OJQ vendase dhe të huaja dhe grupe të fushatës u mbyllën.
Shtypja ndaj tyre ka qenë brutale. Sipas monitoruesit të pavarur të të drejtave të njeriut OVD-Info, janë regjistruar mbi 19 mijë e 400 raste ndalimi për protesta kundër luftës në Rusi dhe dhjetëra persona ndiqen penalisht çdo javë sipas një ligji të ri që e bën të paligjshme shpërndarjen e informacionit “të rremë” për pushtimin.
Një gjykatë në Moskë e përdori ligjin në fillim të këtij muaji kur dënoi kritikun e Kremlinit, Ilya Yashin, me më shumë se tetë vjet burg, pasi foli rreth dyshimeve për vrasjen e civilëve nga trupat ruse në qytetin ukrainas Bucha, jashtë Kievit. Megjithatë, Kremlini nga ana e tij ka mohuar çdo lloj përfshirje në protesta masive, si dhe ka përsëritur deklaratat se imazhet e trupave të civilëve janë të rreme.
Soldatov u deklarua për CNN ditën kur pranoi në Londër një letër zyrtare nga autoritetet ruse që detajonte akuzat penale kundër tij. Ashtu si Yashin dhe qindra të tjerë, ai akuzohet për përhapjen e informacionit të rremë rreth ushtrisë ruse dhe zbatimit të ligjit dhe tani është në listën e të kërkuarve të Rusisë. Ai i mohon akuzat dhe thotë se thjesht po raportonte të vërtetën për veprimet e qeverisë ruse në prag dhe gjatë pushtimit të Ukrainës.
Sipas statistikave zyrtare të publikuara nga qeveria ruse, më shumë se gjysmë milioni njerëz u larguan nga Rusia në dhjetë muajt e parë të vitit – mbi dy herë më shumë në të gjithë vitin 2021. Ënde nuk dihet se sa janë larguar për arsye politike, por pothuajse 50 mijë qytetarë rusë kërkuan azil në një vend tjetër në gjashtë muajt e parë të vitit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, UNHCR./UBTNews/