Anëtarja e NATO-s, Rumania ka njoftuar se do të dërgojë sistemin ushtarak Patriot në Ukrainë. Kjo e fundit vazhdimisht u ka bërë thirrje aleatëve të saj të rrisin mbështetjen ushtarake ajrore derisa Rusia po sulmon infrastrukturën e saj energjetike.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha javën e kaluar se Rusia ka shkatërruar gjysmën e kapacitetit gjenerues të energjisë elektrike të Ukrainës dhe se i duhen shtatë sisteme raketore Patriot dhe mbrojtje të tjera ajrore për të mbrojtur qendrat urbane të Ukrainës.
“Duke marrë parasysh përkeqësimin e konsiderueshëm të situatës së sigurisë në Ukrainë, … anëtarët e këshillit vendosën t’i dhurojnë Ukrainës një sistem Patriot në koordinim të ngushtë me aleatët”, njoftoi të enjten përmes një deklarate Këshilli i Lartë i Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se: “Ky kontribut vendimtar do të forcojë mburojën tonë ajrore dhe do të na ndihmojë të mbrojmë më mirë njerëzit tanë dhe infrastrukturën kritike nga terrori ajror rus”./UBTNews/