Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Këtë e ka bërë të ditur kryearti i LDK-së Lumir Abdixhiku.
“Me kënaqësi ju njoftojmë se nga sot Berat Rukiqi është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik”, ka shkruar Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, ka nënvizuar se Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi politikat ekonomike të Bashkimit Evropian, gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës.
“Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore. LDK është e lumtur që – si adresë e vetme e njerëzve profesionistë – po shton radhët e veta secilën ditë. Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes”, ka shkruar ai.