UBT News

Rugova: Disfata nga zgjedhjet tregon që garda e vjetër e LDK-së duhet të japë dorëheqje

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova pas publikimit të rezultateve preliminare, ka deklaruar se disfata nga zgjedhjet tregon se garda e vjetër e LDK-së duhet të japë dorëheqje dhe të largohet menjëherë.

Sipas tij, elektorati i LDK-së e ka dënuar këtë parti dhe ky mesazh është kristal i qartë.

“I përshëndes deklaratat e Kryetarit Mustafa dhe Kryeministrit Hoti, megjithatë duhet ta theksoj që nuk kemi kohë për të humbur. Elektorati ynë na ka dënuar dhe ky mesazh është kristal i qartë. Zgjedhjet në total, por edhe disfata jonë në bastionet tona tregon që komplet garda e vjetër, që me vite tani po i ik reflektimit, duhet të japë dorëheqje dhe të largohen menjëherë. Të rinjtë dhe të ardhurit në parti, që e kanë ndihmuar këtë strukturë të vjetër brenda partisë sonë, duhet të reflektojnë dhe të mësojnë nga kjo përvojë. Ka ardhur koha të ndahemi përgjithmonë nga arroganca, narcizmi dhe egot e sëmura. Le të reflektojmë, le të veprojmë dhe le të kthehemi më të fuqishëm se para. LDK është pasuri fundamentale e këtij populli”, shkroi ai në Facebook.

Rugova ka uruar Vetëvendosjen në krye me Albin Kurtin për fitoren sipas rezultateve preliminare, teksa ka kërkuar nga ai që të marrë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët. Kurse për Vjosa Osmanin, ai ka theksuar se deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit.

Urime fituesit. Urojmë që Albini të mbajë premtimet dhe të mos viktimizohet më tutje. Tani e ka kohën që të përqafojë përgjegjësinë që ia kanë dhënë qytetarët dhe të mos aktrojë më. 2. Sa për Vjosën. Mendoj që deputetët e LDK-së duhet të rrinë në sallë dhe t’ia bëjnë kuorumin për zgjedhjen e Presidentit. Është shumë me rëndësi që maskat të bien deri në fund dhe që, të gjithë ata votues të LDK-së që i besuan, ta kuptojnë se e tëra, gjithë histeria e saj, ishte vetëm për poste dhe përfitime personale. Në demagogjinë e saj nuk ka as edhe një pikë sinqeriteti dhe kjo do të shihet edhe më shumë në periudhën që kemi para”, shkroi ai./UBTNews

Exit mobile version