Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përkujtuar presidentin historik, Dr.Ibrahim Rugova, në 15-vjetorin e vdekjes.
Mustafa thotë se Rugova ishte arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova. Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Sot, kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, Dr. Ibrahim Rugova. Pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë ngase ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia. Ai është arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës. Urtësia dhe largpamësia e tij, na duhet edhe sot dhe na ndjekë gjithmonë në rrugëtimin tonë politik. LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punoj me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës. Duke e zhvilluar vendin tonë, duke ruajtur miqësitë e tij që i krijoi në botë, e ruajmë këtë trashëgimi e cila është emblema më e mirë e Kosovës tonë të sotme dhe të ardhshme. Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja dhe kultivimi i raporteve me vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës, në veçanti siç e thoshte Presidentit shumë herë: miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë miqësi LDK-ja do të vazhdoj ta ruaj dhe kultivoj më tutje sepse nuk kemi alternativë tjetër. Lavdi jetës dhe veprës së Gandit të Ballkanit, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova!”, theksoi ai./UBTNews