Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka deklaruar se rezultati përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij nga Kosova, Ruçi tha se është premtuese për dialogun, fakti që ShBA dhe BE nuk kanë dallime në qëndrime.
Pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ruçi e vlerësoi pozitive edhe qëndrimin dinjitoz të ish drejtueseve të UÇK-së karshi Gjykatës Speciale. Derisa theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
“ Sigurisht që e ndajmë të njëjtin mendim se rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë të dy vendeve. Anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE si dhe trajtimi ne drejtë të minoriteteve në Kosovë, karshi Kushtetutës së Kosovës. […] Për ne është premtuese fakti që si ShBA dhe BE nuk kanë dallim qëndrimesh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”, tha ai.
Ruçi gjithashtu shtoi se Serbia është ajo që ka kryer gjenocid në Kosovë.
“Për mendimin tonë si Shqipëri, Serbia është ajo që ka kryer gjenocid, ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ajo ka fshehur kriminel në kërkim për dekada të tëra dhe nuk ka bashkëpunuar me gjykatën e drejtësisë në Hagë. Ndërsa sot përpiqet të glorofikojë kriminelët e vet që i kanë mbrojtur dhe fshehur. Pra duke përfundimtar, koha punon për Kosovën se ajo është në anën e duhur dhe drejtë të historisë. Ne nuk do të rreshtim së punuar për të”, u shpreh ai.
Krahas kësaj, Ruçi pasi takimit me Konjufcën tha se duhet bashkëpunim më i madh në politikën e jashtme për procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.