Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen midis forcave kurde siriane, të udhëhequra nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) dhe autoriteteve të reja siriane.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e shpallur së fundmi midis autoriteteve të përkohshme siriane dhe Forcave Demokratike Siriane për të integruar verilindjen në një Siri të bashkuar”, tha Rubio, sipas Reuters.
Marrëveshja parashikon integrimin e institucioneve civile dhe ushtarake nën kontrollin e SDF në verilindje të Sirisë me sistemin shtetëror, si dhe marrjen e kontrollit të pikave kufitare, aeroporteve dhe fushave të naftës dhe gazit në zonë.
Marrëveshja u nënshkrua në një moment kritik për Damaskun, i cili po përballet me pasojat e vrasjeve masive të anëtarëve të pakicës alavite në Sirinë perëndimore, dhunë që presidenti sirian Ahmed al-Shara tha se kishte rrezikuar përpjekjet e tij për të bashkuar Sirinë pas 14 vitesh konflikti.