UBT News

Rubio e paralajmëron Panamanë se do të përballet me masa, nëse s’e kufizon ndikimin kinez mbi kanal

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e vizitoi Kanalin e Panamasë më 2 shkurt, nga ku e paralajmëroi Panamanë se Uashingtoni do të “ndërmarrë masa të nevojshme”, nëse ajo nuk e kufizon përfshirjen e Kinës në rrugën e rëndësishme ujore.

Pas kërcënimeve, presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, e ritheksoi sovranitetin e vendit të tij mbi këtë kanal, por la të kuptohej se ka mundësi të rishikohen marrëveshjet me Pekinin dhe njoftoi gjithashtu hapa shtesë për të bashkëpunuar për imigracionin, i cili është çështje e rëndësishme politike për administratën amerikane.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se Rubio i përçoi një mesazh nga presidenti Donald Trump, duke theksuar se prania e Kinës është kërcënim për rrugën ujore dhe e shkel traktatin SHBA-Panama.

Sekretari Rubio e bëri të qartë se kjo status-quo është e papranueshme dhe se, në mungesë të ndryshimeve të menjëhershme, Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa të nevojshme për t’i mbrojtur të drejtat e tyre sipas traktatit“, tha Bruce.

Rubio nuk shpjegoi hapat që do të duhej të ndërmerreshin nga Panamaja, apo çfarë veprimesh hakmarrëse mund të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara, nëse nuk merren masa.

Trumpi ka thënë se nuk e përjashton përdorimin e forcës ushtarake kundër Panamasë. Këto deklarata i kanë shqetësuar shumë aleatë të SHBA-së në Amerikën Latine dhe më gjerë.

Trump pretendoi më 2 shkurt se “Kina e udhëheq Kanalin e Panamasë”.

Ai nuk iu dha Kinës, iu dha Panamasë – në mënyrë të pamenduar – por ata e shkelën marrëveshjen. Ne do ta rimarrim [Kanalin e Panamasë], ose diçka shumë e fuqishme do të ndodhë“, u tha Trump gazetarëve.

Nuk mendoj se do të jenë të nevojshme trupa ushtarake në Panama“, shtoi ai.

Trump foli gjithashtu edhe për mundësinë që Shtetet e Bashkuara ta blejnë ishullin e Grenlandës nga Danimarka, pavarësisht se ajo ka thënë se nuk është në shitje. Trump sugjeroi po ashtu se Kanadaja duhet të bashkohet me Shtetet e Bashkuara. Por, serioziteti i këtyre komenteve nuk është i qartë.

Puna e Kinës me kanalin kryhet kryesisht përmes korporatës Hutchison Holdings, me bazë në Hong Kong, e cila operon dy porte pranë hyrjeve të kanalit sipas një koncesion 25-vjeçar të rinovuar në vitin 2021.

Javën e kaluar, Rubio tha se sipas statusit të tanishëm, Kina teorikisht mund t’i përdorë portet për ta mbyllur kanalin, në rast se shpërthen ndonjë konflikt mes Shteteve të Bashkuara dhe gjigantit aziatik.

Presidenti i Panamasë tha se takimi i tij me Rubion më 2 shkurt ishte miqësor dhe i respektueshëm. Ai tregoi se është e mundur të rishikohen disa nga bizneset kineze në Panama, përfshirë koncesionin e portit.

Kina e ka mohuar çdo përfshirje në udhëheqjen e kanalit dhe ka deklaruar se respekton kontrollin e Panamasë mbi rrugën ujore.

Kina asnjëherë nuk ka ndërhyrë”, tha muajin e kaluar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, duke shtuar se Pekini e njeh kanalin si “një rrugë ujore ndërkombëtare dhe përherë neutrale”.

Kanali i Panamasë u ndërtua si pjesë e një projekti të drejtuar nga SHBA-ja, dhe Uashingtoni mbajti kontrollin e tij kur ai filloi të funksiononte në vitin 1914, duke zotëruar gjithashtu zonën përreth Kanalit.

Në vitin 1964, filluan negociatat pas trazirave vdekjeprurëse nga panamezët, të cilët ishin të zemëruar pse të huajt kontrollonin rrugën ujore.

Pas negociatave të gjata dhe të vështira, presidenti Jimmy Carter nënshkroi marrëveshjen që ia dorëzoi kanalin Panamasë në fund të vitit 1999.

Rruga ujore e ndërtuar nga dora e njeriut përfshin një sërë mbylljesh dhe rezervuarësh që shtrihen përgjatë 82 kilometrave midis Panamasë, duke lidhur Oqeanin Paqësor me atë Atlantik.

Rreth 5.600 punëtorë humbën jetën gjatë ndërtimit të kanalit, shumë prej tyre ishin sjellë nga pjesë të tjera të Karaibeve, sipas një studimi./REL/

Exit mobile version