Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por shtoi se kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në të ardhmen.
Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Rubio tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidatin italian për postin e ri të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se besojnë se ai “do ta kryente mirë punën dhe do të ndihmonte në sjelljen e stabilitetit në këtë funksion”.
Sekretari amerikan i Shtetit iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të Nënkomitetit për Evropë në Dhomën e Përfaqësuesve, Keith Self, i cili së fundmi ka vizituar Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Gjatë seancës, Self e cilësoi situatën në Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”.
Self tha se mes Serbisë dhe Kosovës ekziston një “problem i pazgjidhur” dhe i kërkoi Rubios që, në bisedimet me katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe që, rrjedhimisht, e bllokojnë anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake perëndimore, të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Rubio tha se, bazuar në takimet e tij me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, NATO-ja “është e përqendruar në çështje të tjera” dhe se “zgjerimi, posaçërisht në rastin e Kosovës, por edhe në raste të tjera, nuk është në krye të agjendës së këtyre vendeve”. Megjithatë, ai shtoi se kjo “nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”.
“Kjo nuk ka pasur vend të rëndësishëm në bisedimet e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, tha Rubio.
Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë në integrimin euroatlantik të Prishtinës.
Self, së bashku me dy kolegë të tij në Kongres, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolute në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë thuhet se prania e Kosovës në aleancë është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropën Juglindore.
Të dhënat në këtë artikull janë marrë nga raportimi i “Evropa e Lirë”.
