UBT News

Rubin: Haga duhet të bëjë gjënë e duhur, t’i shpallë të pafajshëm ish-krerët e UÇK-së

Ish zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit amerikan, James Rubin i cili ishte dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Hagë, ka përsëritur deklaratën e tij se ish-presidenti, Hashim Thaçi nuk kishte rol kyç në vendimmarrjet e UÇK-së.

Rubin këtë deklaratë e bëri në një intervistë për gazetaren e njohur, Christiane Amanpour.

Ish diplomati amerikan tha se nga pyetjet e gjyqtarëve kishte përshtypjen se ata ishin të anshëm dhe se ata veçse kishin marrë vendim kundër ish krerëve të UÇK-së.

Nuk është e vërtetë që gjithë shqiptarët urrejnë serbët dhe të gjithë serbët urrejnë shqiptarët, shumica e shqiptarëve dhe serbëve do donin të jetonin në paqe me njëri-tjetrin. Ky gjyq po fajëson liderët e UÇK-së për gjërat që ata nuk i kishin nën kontroll. Ishte e qartë se Thaçi si një djalë i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë. Dëshmova për tre ditë, por më duhet të them gjyqtarët më parashtronin pyetje që dukeshin shumë të anëshme. Prokurorët duhet ta ndërtojnë rastin, mbrojtja ndërton rastin, gjyqtarët supozohet të mbledhin provat që të ulen dhe të marrin vendimin, por nga pyetjet që mora nga disa gjyqëtar kisha ndjenjën se ata tashmë vetëm kishin vendosur“, tha Rubin.

Rubin tha se Gjykata në Hagë duhet të bëjë gjënë e duhur dhe të lirojë ish liderët e UÇK-së.

Ky tribunal duhet të bëjë gjënë e duhur, t’i shpallë ata të pafajshëm. Pastaj SHBA dhe Europa duhet të ulen me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe ta zgjidhin këtë problem. Nuk ka arsye pse Ballkani të ketë rrezikun që lufta të fillojë përsëri, ky është problem që mund të zgjidhet me përkrahje të liderëve ndërkombëtarë“, tha tutje Rubin.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin në Hagë tha që Hashim Thaçi nuk ishte në gjendje që të nënshkruante, sepse delegacioni shqiptar i pranishëm në Rambuje duhet që të konsultohej me komandantët në Kosovë.

Dëshmia e James Rubin është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejtri përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright./D.B/KP

Exit mobile version