UBT News

Rrustemi: Disa zëra opozitarë për përfitime politike po e minimizojnë aktin në Zubin Potok

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi teksa ka dënuar sulmin në Zubin Potok, i ka konsideruar për keqardhje disa zëra opozitar që siç tha ai kanë zgjedhur ta minimizojnë këtë akt dhe të manipulojnë për përfitime politike.

Sipas Rrustemit përgjatë katër vite qeverisje është punuar për tu shtrirë sovraniteti edhe në veri të vendit.

“E dënojmë me forcën më të madhe këtë akt që mbartë një dorë të jashtme të regjimit që kurrë nuk e ka pranuar ekzistencën tonë dhe që vazhdimisht punon për destabizilimin e Kosovës dhe të rajonit. Serbia duhet dhe do të mbahet përgjegjëse për këtë sulm…. Është për keqardhje që në vend të solidaritetit kombëtarë disa zëra opozitar kanë zgjedhur të minimizojnë këtë akt dhe të manipulojnë opinionin publik duke tentuar të përfitojnë politikisht nga një situatë tragjike që Serbia orkestron kundër nesh. Ky është një rikujtim i hidhur që veriu i Kosovës gjithmonë i ka kategorizuar ata që preokupohen për interesin e vendit dhe ata që janë të gatshëm ta përdorin atë për pushtet dhe privilegj”, tha ai.

Ai tha se deri para 3 vitesh në veri të vendit mund të shkohej vetëm me lejen dhe nën mbrojtjen e Milan Radoiçiqit.

“Deri para ardhjes së Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrit Kurti në qeverisje veriu i Kosovës kontrollohej nga struktura paralele bllokohej me barrikada e dora e shtetit nuk shtihej. Deri para tre vitesh atje mund të shkojë vetëm me lejen e nën mbrojtjen e Radoiçiqit qoftë edhe në villen e tij”, tha ai.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi akuzoi opozitën që përgjatë këtyre katër viteve kanë penguar secilën politikë që shkon në interes të qytetarëve, por që sipas tij “bie ndesh me interesat e tyre”.

“Gjatë këtyre katër viteve kjo opozitë ka penguar secilin veprim e politikë që shkonte në interes të qytetarëve e që binte ndesh me interesat e tyre, e kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një fushate intensive kundër Qeverisë së Kosovës, të konceptuar për të shtrembëruar të vërtetën, për të mjegulluar informimin dhe për të imponuar projektimet e opozitës për ne përmes propagandës, sulmeve e shpifjes gjysmë të vërtetave, manipulimit e fabrikimit të materialeve. Por, mbajeni mend prapa secilit sulm të opozitës fshihet një dëm i madh i tyre, mbulohet një skandal i tyre ruhet një interes personal i tyre sikurse që vegjetojnë veprat e tyre të korrupsionit të pandëshkuar. Na sulmojnë sepse duan ta fshehin edhe më shumë hajnin e tyre, na sulmojnë që të amnistojnë vetën e tyre e pasurinë e paligjshme dhe na sulmojnë që të mos vërehet qartë se çfarë kanë bërë kur kanë qeverisur”, theksoi ai.

Exit mobile version