UBT News

Rruga më e njohur e Hanoit mund t’ju vrasë

Rruga e Trenit filloi si një rrugicë e hollë si brisk, me një tren që kalonte me shpejtësi nëpër të. Tani, është plot me kafene të famshme për Instagramin dhe turistë që nuk mund të qëndrojnë larg, pavarësisht rreziqeve.

Hekurudha Veri – Jug u ndërtua nga forcat koloniale franceze në vitin 1902, duke lidhur Hanoiin me Ho Chi Minh City. Pesëdhjetë e katër vjet më vonë, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ndërtoi disa godina të ulëta përgjatë këtij segmenti për të strehuar punonjësit. Në vitet 1970 zona konsiderohej lagje e varfër; banorët zgjoheshin shpesh nga dridhjet e trenave që kalonin pranë shtëpive të tyre.

“Ishte thjesht një rrugë e zakonshme me shina treni në mes,” thotë Minh Anh, banore e përhershme e Hanoit. “Kur filloi të shpërthente në rrjetet sociale, u habita sinqerisht”.

Udhërrëfyesja turistike Nhi Nguyen kujton se më parë njerëzit jetonin jetën e tyre normale aty dhe nuk kishte kaq shumë kafene pranë shinave. “Kishte një ndjesi shumë më autentike: skuterët parkoheshin vetëm pak metra nga shinat, rrobat vareshin jashtë, njerëzit gatuanin në soba të vogla me gaz”.

Në fillim të vitit 2013, Colm Pierce dhe Alex Sheal, bashkëthemelues të tureve fotografike “Vietnam in Focus” në Hanoi, nisën një tur të quajtur “Hanoi on the Tracks” për t’u treguar vizitorëve si banorët ishin përshtatur me jetën pranë shinave. Rastësisht, në qershor 2013, Instagram prezantoi funksionin e videos. Një vit më pas, emisioni “Tough Trains” në Travel Channel shfaqi pamje nga “Train Street”, duke e bërë edhe më tërheqëse për udhëtarët.

Në vitin 2017, një banor nisi të shiste birra dhe kafe për turistët që donin të prisnin trenin. Fqinjët panë mundësinë ekonomike dhe lokalet u shtuan shpejt. Rrugica e dikurshme e rrënuar, e quajtur tashmë “Rruga e Trenit”, u zbukurua me fenerë shumëngjyrësh dhe drita festive. Turistët mësonin të mbërrinin tridhjetë minuta para trenit dhe përjetimi “klasik” u konsolidua: uleshin në bare pranë shinave me birra e kafe, derisa treni kalonte me zhurmë, duke dridhur pjata dhe zemra.

Shumë vizitorë e adhurojnë eksperiencën; të tjerë mendojnë se duket më bukur në foto sesa në realitet. Disa e shohin si atraksion tipik për Instagram, ndërsa të tjerë mahniten nga fakti se si një ekonomi e tërë funksionon në një hapësirë kaq të pamundur.

Psikologët e udhëtimit theksojnë se dëshira për ta vizituar lidhet me natyrën tonë sociale dhe “frikën se mos mbetemi jashtë” . Elementi i rrezikut e shton ndjesinë e veçantë, sidomos për vizitorët nga vende me rregulla të forta sigurie.

Nga ana tjetër, udhërrëfyesit lokalë theksojnë se përfitimi ekonomik për familjet është i dukshëm, por ekziston rreziku që trashëgimia historike e zonës të humbasë pas etheve të rrjeteve sociale. Në vend që të mësojnë për historinë e hekurudhës që nga epoka koloniale, shumë vizitorë largohen vetëm me një foto.

Ironikisht, disa ture fotografike janë zhvendosur tashmë në zona më pak të frekuentuara përgjatë hekurudhës, për të treguar stilin e vjetër të jetesës pranë shinave.

Për mirë apo për keq, fama e Train Street duket si një festë e përhershme, por gjithmonë në lëvizje.

Marrë dhe përshtatur nga BBC

 

Exit mobile version