Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë postimin e tij të parë në rrjetin social turk Next Sosyal, një platformë e re e zhvilluar brenda vendit.
Në postimin e tij, Erdogan ka cituar një varg nga poezia e Erdem Bayazitit: “Lulja ka çelur mes mureve prej betoni”. Ai ka përdorur gjithashtu hashtagun #PoFillojmë, të shoqëruar me emoji të flamurit turk, tokës dhe raketës.
Next Sosyal është prezantuar më 23 korrik dhe deri tani ka tejkaluar një milion përdorues. Platforma u mundëson përdoruesve të ndajnë përmbajtje në formën e teksteve, fotove, videove dhe sondazheve, ndërsa ofron një përvojë pa reklama, pa algoritme dhe pa censurë.
Aplikacioni përfshin përditësime rreth teknologjisë, stilit të jetesës dhe zhvillimeve aktuale, dhe mbështet ndërveprim shumëgjuhësh. Ai është zhvilluar nga fondacioni T3 në bashkëpunim me kompaninë turke të mbrojtjes Baykar, dhe përfshin një model të inteligjencës artificiale.
Sipas zhvilluesve, qëllimi i Next Sosyal është të krijojë një hapësirë të sigurt për përdoruesit në Turqi, ku mund të shprehin mendimet dhe ndjenjat pa ndërhyrje, manipulim apo dezinformim.