UBT News

“Rrjeti social i Trumpit, një katastrofë”

Në muajin tetor, ish-presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se po planifikonte të hapte një kompani revolucionare teknologjike.

“Kam krijuar Truth Social… për t’i bërë ballë tiranisë së teknologjisë së madhe”, tha ai.

“Ne jetojmë në një botë ku talibanët kanë prezencë të madhe në Twitter, ndërsa presidentin tuaj të preferuar amerikan e kanë heshtur”, deklaroi tutje ish-presidenti amerikan.

Aplikacioni u lansua më 21 shkurt në Ditën e Presidentit, por pas pothuajse gjashtë javësh po përballet me probleme. Një listë prej 1.5 milion njerëzish e kanë të pamundur ta përdorin atë.

Truth Social duket sikurse rrjeti social Twitter, një platformë që e ndaloi Trumpin pasi një turmë mbështetësish të tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Twitter besonte se Donald Trump, duke bërë pretendime të rreme se zgjedhjet ishin “vjedhur”, kishte nxitur dhunë. Atij iu ndalua qasja në Twitter përgjithmonë më 8 janar të vitit 2021.

Ndonëse ky aplikacion duket sikurse Twitter, nuk është i qasshëm në telefonët Android, shfletues dhe mesa duket për shumicën e njerëzve jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është katastrofë”, deklaroi Joshua Tucker, drejtori i Qendrës së NYU për Media Sociale dhe Politikë.

Dhe një aleat republikan i Trumpit, i cili nuk dëshironte të identifikohej, tha: “Askush nuk duket se e di se çfarë po ndodh”.

Më 21 shkurt, Truth Social ishte një nga aplikacionet më të shkarkuara në App Store – por shumica nga ata që e shkarkuan nuk mund ta përdornin./UBTNews/

Exit mobile version