Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës, i themeluar para vetëm një muaji, pjesë e së cilës është UBT, tashmë është pranuar edhe në rrjetin evropian GÉANT, një nga rrjetet më të mëdha dhe më i avancuari për hulumtim dhe arsim në botë.
Në këtë rrjet, hulumtuesit shkencorë, studentët dhe stafi i UBT-së mund të kenë qasje të besueshme dhe të pakufizuar në llogaritje kompjuterike, analiza, arkivim elektronik, aplikacione dhe burime tjera.
Lajmin për pranim në GÉANT e ka mirëpritur rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, i cili theksoi se ky rrjet do të lejoj qasje në shumë shërbime, teksa tha institucioni ka kontribuar për tu bashkuar në këtë komunitet.
“Institucioni tashmë është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, gjë që do të ndihmojë studentët dhe stafin në hulumtim dhe në tema shkencore. Pranimi në GÉANT ofron mundësi për mësim, zhvillimin dhe ndarjen e njohurive, gjithashtu lehtëson lidhjen e komunitetit të kërkimit dhe arsimit me komunitetet tjera në Evropë dhe më gjerë. UBT përveç këtij rrjeti, është e anëtarësuar në shumë mekanizma ndërkombëtarë e numëron qindra marrëveshje bashkëpunimi, duke bërë që të jetë një ndër institucionet e vetme që sjell ne vend praktikat më të mira evropiane ”, potencoi rektori Hajrizi.
Ngritja dhe zhvillimi i Rrjetit Kombëtar të Kosovës për Hulumtim dhe Edukim dhe ndërlidhja me GÉANT janë pjesë e Projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës, të financuar nga Banka Botërore dhe të zbatuar nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës.