Në një nga ditët e fundit të tetorit, 90 policë, 22 automjete dhe një top uji qëndronin gati në një fushë në periferi të Santiagos, kryeqyteti i Kilit. Nuk ishin aty për të mbajtur rendin në një protestë të zhurmshme. Ishin për të monitoruar varrimin e një gruaje të re me lidhje të dyshuara me trafikantët e drogës. Një ngjarje e tillë, e cila zakonisht përfundon me plumba të qëlluar në ajër nga vajtuesit, dikur do të ishte e pamendueshme në Kili, i konsideruar prej kohësh si një nga vendet më të sigurta të Amerikës Latine. Por midis majit 2019 dhe shtatorit 2023, bandat mbajtën afro 2000 funerale të tilla, sipas Gabriel Boric, presidenti i vendit. Në shtator, Boric i dërgoi një projekt-ligj Kongresit për t’i kufizuar ato.
Harta e vrasjeve në Amerikën Latine po reduktohet. Shkalla e vrasjeve në rajon ka rënë që nga viti 2017, megjithëse vende të tilla si Meksika dhe Brazili janë ende qendra e disa prej qyteteve me shkallën më të lartë të vrasjeve në Tokë. Por në vendet dikur të sigurta, shkalla e vrasjeve po arrin nivele rekord, duke përfshirë Ekuadorin, Kosta Rikën dhe Kilin.
Quajeni rrjeti i ri i narkotikëve: një koktej droge, armësh dhe migrimi po nxit dhunën e bandave në të gjithë rajonin.
Marrim së pari Ekuadorin. Zhytja e tij në kaos ka qenë e shpejtë. Në vitin 2018, vendi ishte një zonë e përgjumur e Andeve, prej 17 milionë banorësh. Eksportonte vaj dhe peshk. Ai kishte shkallën e katërt më të ulët të vrasjeve në Amerikën Latine, me 5.8 për 100,000 banorë. Por këtë vit kjo normë pritet të arrijë në 35 për 100,000 banorë. Është gati më i lartë se ai i Meksikës dhe i Brazilit. Grupet kriminale vrasin pa u ndëshkuar, duke vendosur makina bomba dhe duke varur trupa të pajetë nga urat. Në gusht, një kandidat presidencial që konkurronte me një platformë kundër korrupsionit u vra.
Kokaina është shkaktari kryesor i problemeve të Ekuador. Për disa dekada, vendi u injorua nga trafikantët ndërkombëtarë të drogës. Kjo ndryshoi në fund të viteve 2000, kur bandat kuptuan se mund të merrnin përfitime edhe më të mëdha duke dërguar ngarkesa më larg, në Evropë dhe Australi. Pjesërisht si rezultat i kësaj, bandat më pas ndryshuan metodat e transportit: në vend që ta paketonin atë në avionë ose varka për në Shtetet e Bashkuara, kokaina nisi të shpërndahej brenda anijeve me kontejnerë midis mallrave legjitime.
Pasi portet kolumbiane forcuan masat e sigurisë, kriminelët kërkuan rrugë alternative të transportit. Portet e Ekuadorit, të monitoruara dobët u bënë edhe më tërheqës pas vitit 2009, kur Rafael Correa, i krahut të majtë, më pas president, minoi mbrojtjen e vendit duke mbyllur një bazë detare amerikane dhe duke i dhënë fund kështu, bashkëpunimit me DEA-n. Bandat ekuadoriane si Los Choneros nisën të lëvizin kokainën për bandat meksikane dhe mafien shqiptare. Deri në vitin 2019 Ekuadori ishte kthyer në superautostradë e kokainës.
Burgosja e gangsterëve thjesht i ndihmoi ata të forconin rrjetet. Los Choneros lulëzoi në burgjet e mbushura me njerëz, duke rekrutuar shumë dhe duke organizuar sulme ndaj armiqve. Vrasjet e targetuara u përshkallëzuan në masakra, ku dhjetëra të burgosur u copëtuan dhe u dogjën. Në vitin 2021, 330 të burgosur u vranë në Ekuador, numri më i madh në botë. Po atë vit, kokaina rregjistrohej si eksporti i gjashtë më i madh në vend.
Po ashtu, këtë vit në Kosta Rika, viktimat mes njerëzve parashikohen të arrijnë një rekord prej 17 për 100,000 banorë, krahasuar me 11 për 100,000 banorë tre vjet më parë. Kokaina është gjithashtu një pjesë e madhe e problemit. Rritja e prodhimit në Kolumbi, ku janë korrur sasi rekord të gjetheve të kokës në vitet e fundit, përkthehet në anije më të mëdha që mbërrijnë në Kosta Rika, thotë Alvaro Ramos, ish-ministër i sigurisë.
Megjithatë, koka nuk është e vetmja arsye për rritjen e dhunës. Vitet e fundit, shumë vrasje kanë qenë për tregun vendas të marijuanës. Kanabisi i paligjshëm është një biznes i madh në Kosta Rika: 3% e banorëve thonë se e përdorin çdo muaj, një nga normat më të larta të konsumit në Amerikën Qendrore. Shumë banda preferojnë barin, se sa kokainën. Lëvizja e të bardhës është e vështirë: kërkon lidhje dhe zyrtarë të korruptuar (nga të cilët ka relativisht pak në Kosta Rika). Në të kundërt, bari ka pak pengesa për hyrjen dhe mund të shitet kudo.
Shteti është i pajisur dobët për të ndaluar lulëzimin e këtyre bandave të reja. Kosta Rika hoqi ushtrinë e saj në vitin 1949. Rodrigo Chaves, presidenti i vendit, fajëson administratën e kaluar dhe gjyqësorin për situatën. Ai thotë se vendi nuk ka polici të mjaftueshme, ligjet janë të vjetruara dhe sistemi gjyqësor është shumë i butë ndaj kriminelëve.
Vendi i tretë në këtë situatë të re të narko-rrjetit, Kili, nuk është një pikë e nxehtë vrasjesh. Vitin e kaluar shkalla e vrasjeve aty, arriti një rekord 6.7 për 100,000 banorë. Kjo është shumë më poshtë se fqinjët dhe afër normës në Shtetet e Bashkuara, prej 6.3. Por siç dëshmojnë narkofuneralet, krimi po përkeqësohet shumë. Më shumë kokainë dhe kanabis po ndalohen se kurrë më parë, me konfiskimet e kanabisit që janë trefishuar midis 2018 dhe 2021. Portet e tij janë bërë objektiva të atentatorëve. Trafikimi i lëndës drusore është gjithashtu problem. Industria e bakrit, e cila përbën gati 11% të GDP të vendit, është goditur nga rrëmbimet e armatosura.
Blues kokaine
Kili është një nga vendet më të pasura të rajonit. Ai gjithashtu pret gjysmë milionë emigrantë nga Venezuela, të cilët ikin nga regjimi i Nicolas Maduros. Ky kombinim ka tërhequr mafia si Tren de Aragua, banda më e madhe e Venezuelës. Ajo po lufton për të kontrolluar botën e krimit të Kilit, duke ndërtuar një perandori të trafikut njerëzor në të gjithë Amerikën e Jugut. Të shtëna me armë zjarri ndodhin rregullisht në qytetin port të Iquiques, pasi bandat lokale i shmangin sulmet nga venezuelianët.
Celulat e Tren de Aragua-s drejtojnë unaza prostitucioni në disa qytete. Rreth 40 anëtarë të dyshuar u burgosën në një provincë vitin e kaluar. Dhjetëra janë arrestuar në bastisjet e policisë këtë vit. Si rezultat, pjesa e kilianëve që thonë se imigrimi është i keq është rritur nga 31% në dhjetor 2018 në 77% në prill 2023, sipas Cadem, një anketues. Një tjetër sondazh zbuloi se shumica fajësojnë emigracionin e paligjshëm për rritjen e krimit. Duke u përballur me zgjedhjet rajonale vitin e ardhshëm, qeveria është fokusuar më shumë te siguria. Pasi tre oficerë policie u vranë në mars, z. Boric u zotua për një rritje vjetore prej 40% në buxhetin e sigurisë dhe miratoi ligje më të rrepta ndëshkuese për krimet ndaj policisë. Megjithatë, shumë e konsiderojnë atë shumë të butë ndaj krimit.
Çfarë do të thotë ky rrjet i ri narkotrafikantësh për vendet që dikur ishin ndër historitë e suksesit të Amerikës Latine? Shumë qytetarë do të votojnë me këmbë. Vitin e kaluar, ekuadorianët ishin kombësia e dytë më e madhe që kaluan shtegun Darien të Panamasë në rrugën e tyre drejt veriut.
Ata që qëndrojnë në shtëpi mund t’i drejtohen zgjidhjeve më ekstreme. Sipas Latino bar 6 metro, një kompani rajonale sondazhesh, plot 48% e ekuadorianëve, 31% e kilianëve dhe 22% e kostarikanëve e renditin sigurinë si problemin më të madh të vendit të tyre, shumë mbi mesataren rajonale prej 13%.
Shumë latino-amerikanë e admirojnë presidentin autoritar të El Salvadorit, Nayib Bukele, i cili gjatë viteve të kaluara ka burgosur 1.6% të popullatës në një goditje gjithëpërfshirëse të bandave dhe mbështetja për të është 88%, më e larta në rajon.
Politikanët në të gjithë Amerikën Latine po mbajnë shënim. Më 15 tetor Daniel Noboa, një 35-vjeçar i djathtë, fitoi zgjedhjet presidenciale në Ekuador. Ai ka premtuar të pranojë qasjen e z. Bukele dhe të ndërtojë burgje lundruese në Paqësor. Disa janë skeptikë se do të frenojnë problemin e bandave atje. Por zgjidhje të tilla të çuditshme janë gjithnjë e më popullore. Përballë bandave gjithnjë e më të fuqishme, shumë amerikano-latinë mendojnë se sakrifikimi i të drejtave civile është një çmim që ia vlen të paguhet për sigurinë. / the economist (bota.al)