Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar në lidhje me vrasjen e një 18-vjeçareje në Ferizaj, duke kërkuar dënim maksimal të fajtorëve.
Nga RrGK-ja thonë se ky rast shpërfaq edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit.
“Policia e Kosovës e ka cilësuar rastin si ‘’Vrasje e rëndë’’, dhe deri më tani është arrestuar një i dyshuar, kurse i dyshuari i dytë gjendet në arrati. Ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit. Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave”, thuhet mes tjerash në reagimin e RrGK-së.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal. Po ashtu, përmes kësaj kumtese njofton se RrGK do ta përcjellë rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend./UBTNews