UBT News

Rrjeti global në kaos! Pse mijëra aplikacione u ndërprenë pas rënies së Amazon Web Services?

AMAZON Web Services (AWS), gjigandi i njohur si shtylla kurrizore e internetit, ka pësuar një ndërprerje të madhe që preku mijëra biznese dhe miliona përdorues në mbarë botën.

Situata u përshkrua nga drejtuesi i kompanisë rivale Cloudflare, i cili pranoi se ishte i lehtësuar që problemi nuk kishte të bënte me ta, shkruan BBC. Platformat e goditura ishin: Snapchat dhe Reddit, banka si Lloyds dhe Halifax, dhe lojëra popullore Roblox dhe Fortnite.

AWS ofron infrastrukturën bazë për rreth një të tretën e internetit global, duke ofruar ruajtje të dhënash, menaxhim bazash të të dhënave dhe fuqi llogaritëse. Kjo u mundëson kompanive të shmangin koston e kompleksitetin e mirëmbajtjes së serverëve, ndërkohë që AWS kujdeset për nevojat teknologjike të tyre.

Problemi kishte të bënte me një çështje të zakonshme: një gabim në Sistemin e Emrave të Domaineve. Ekspertët e teknologjisë e përmendin shprehjen “Është gjithmonë DNS!”, duke nënkuptuar se ky është një nga burimet më të zakonshme të prishjeve në internet.

DNS funksionon si një hartë e internetit, kur një përdorues klikon një aplikacion ose faqe, sistemi i tij dërgon një kërkesë për lidhje.

Në këtë rast, AWS e “humbi” atë hartë: platformat si Snapchat dhe Canva ishin funksionale, por trafiku nuk dinte ku të drejtohej.

Ndërprerje të tilla ndodhin për shumë arsye, nga mirëmbajtja e planifikuar dhe dështimet e serverëve, deri te gabimet njerëzore apo konfigurimet e gabuara. Mund të bëhet fjalë edhe për sulme kibernetike, megjithëse në këtë rast nuk ka asnjë provë për një të tillë.

AWS konfirmoi se incidenti ndodhi në qendrën e të dhënave në Virxhinian Veriore, e cila është njëkohësisht më e madhja dhe më e vjetra.

Kjo ngjarje është shembull i qartë i rrezikut të varësisë nga një ofrues i vetëm i shërbimeve cloud. AWS është thelbësore për funksionimin e miliona bizneseve, dhe alternativa të vërteta janë shumë të pakta.

Në treg, konkurrentët kryesorë janë Microsoft Azure dhe Google Cloud Platform, ndërsa IBM, Alibaba Cloud dhe platforma evropiane Stackit (e lansuar nga kompania mëmë e supermarketit Lidl) mbeten lojtarë më të vegjël.

Për shkak të pozitës dominuese të gjigantëve amerikanë, shtrohet pyetja nëse Evropa dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të zhvillojnë infrastrukturën e tyre cloud për të reduktuar varësinë nga SHBA, ndonëse ekspertët mendojnë se për këtë tashmë mund të jetë vonë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version