UBT ka shënuar një moment historik me hapjen e degës të re në Londër, duke zgjeruar më tej rrjetin global dhe duke e bërë prezencën e tij më të fuqishme në skenën ndërkombëtare. Ceremonia e hapjes u mbajt në një ngjarje speciale, ku morën pjesë figura të shquara nga fusha akademike dhe diplomacia, përfshirë Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ambasadorin e Kosovës në Britaninë e Madhe, Ilir Kapiti, zëvendësambasadorin Vlorat Gashi, përfaqësues nga diaspora, partnerë të ndryshëm dhe akademikë të njohur.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e hapjes së kësaj dege në Londër, veçanërisht për faktin se kjo ndodhi pranë një prej qendrave financiare dhe globale më të rëndësishme, Canary Wharf. Ai shprehu se kjo hapje është një dëshmi e përkushtimit të UBT-së për të aktivizuar veten në nivel global.
“Vlerat, produktet dhe shërbimet që UBT ka zhvilluar ndër vite nuk kufizohen vetëm në Kosovë, por përbëjnë vlera të shtuara për tregun global. Përmes Londrës, si një nga qendrat kryesore botërore, synojmë të forcojmë lidhjet me bizneset, të realizojmë projekte të reja dhe të gjenerojmë vende të reja pune, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Rektori shtoi se Londra, si një nga qendrat kryesore botërore, do të luajë një rol kyç në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare përmes projekteve të reja dhe rritjes së mundësive të punës, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Ilir Kapiti, vlerësoi hapjen e kësaj qendre si një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve akademike dhe profesionale midis dy vendeve, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për të mbështetur bashkëpunimin në të ardhmen.
Hapja e kësaj dege në Londër është një tregues i qartë i suksesit të modelit të UBT-së, i cili është bërë një ekosistem inovativ për zhvillimin e kompetencave dhe projekteve të reja. Ky model i edukimit dhe zhvillimit të njohurive, i bazuar në shkencë, teknologji dhe biznes, ka tërhequr vëmendjen e shumë shteteve dhe është kërkuar nga shumë vende të zhvilluara dhe me perspektivë në botë. Pas suksesit të tij në Kosovë dhe hapjes së qendrave të tjera në vende të ndryshme, UBT po forcon gjithnjë e më shumë partneritetet ndërkombëtare dhe po shtrinë ndikimin e tij global.
Në këtë mënyrë, UBT po vazhdon të shndërrohet në një lider në fushën e arsimit dhe inovacionit, duke e vendosur Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në një nivel të ri të zhvillimit global./UBTNews/