Përdoruesit e Gmail janë paralajmëruar për një sulm kibernetik masiv që mund të ketë komprometuar deri në 183 milionë llogari emaili.
Sipas mediave të huaja, të dhënat e publikuara në internet përfshijnë jo vetëm adresat e emailit, por edhe fjalëkalimet e lidhura me to.
Kjo do të thotë se hakerët mund të kenë akses jo vetëm në llogaritë Gmail, por edhe në të gjitha platformat e tjera ku përdoruesit janë regjistruar duke përdorur të njëjtën adresë emaili.
Shkelja thuhet se ka ndodhur në prill të këtij viti, por është zbuluar vetëm së fundmi nga “Have I Been Pwned”, një faqe e njohur që gjurmon shkeljet e të dhënave dhe njofton përdoruesit nëse informacioni i tyre është komprometuar.
Sipas themeluesit të faqes, Troy Hunt, të dhënat janë mbledhur nga një sulm i gjerë që ka përfshirë burime të shumta në internet. Përdoruesit mund të kontrollojnë nëse adresa e emailit ose fjalëkalimi janë pjesë e këtij incidenti, apo ndonjë shkeljeje tjetër duke vizituar faqen zyrtare të “Have I Been Pwned”.
Deri më tani, platforma ka identifikuar 917 faqe të komprometuara dhe mbi 15 miliardë llogari të ekspozuara.
Nëse një llogari rezulton e prekur, këshillohet që përdoruesit të ndryshojnë menjëherë fjalëkalimin e Gmail-it dhe të aktivizojnë vërtetimin me dy faktorë (2FA) për të rritur sigurinë. /A.Z/UBT News/
