UBT News

Rritje alarmante e zjarreve: Mbi 1,300 intervenime vetëm këtë vit

Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, ka ngritur alarmin për shtimin e zjarreve fushore dhe malore, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shkodra bëri të ditur se numri i rasteve është rritur me 15 për qind, krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa theksoi nevojën për ndërgjegjësim dhe kujdes më të madh nga ana e qytetarëve.

Me ngritjen e temperaturave të ajrit, më të theksuara janë zjarret fushore dhe malore. Ka rritje të rasteve jo vetëm në krahasim me vitin paraprak, por me të gjitha vitet tjera sipas përqindjes. Jemi diku te 15 për qind rritje. Duhet ngritur alarmin. Menaxhimi më i mirë do të ishte nga qytetarët,” tha Shkodra.

Ai theksoi se shumë nga zjarret shkaktohen nga pakujdesia, përfshirë hedhjen e bishtave të cigareve nga veturat dhe ndezjen e mbetjeve pas korrjes nga ana e bujqve.

Vetëm më 7 korrik kemi pasur, brenda një orari të ngushtë, rreth 30 intervenime. Në situata të tilla nuk dimë nga t’ia mbajmë apo cilit rast t’i japim prioritet,” shtoi ai.

Derisa mbi 1,300 raste janë regjistruar deri më tani, Shkodra bëri thirrje për vetëdijesim qytetar dhe theksoi se një zjarr ndizet lehtë, por kërkon ditë të tëra për t’u shuar.

Në këtë situatë, kur përballemi me kaq shumë raste, na shkon shumë kohë dhe e kemi të vështirë edhe me kapacitetet që kemi. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, mos të rrezikojnë jetën dhe mjedisin me veprimet e tyre të pakujdesshme,” përfundoi ai./EO

Exit mobile version